Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj teksa po prezantonte rezultatet e megaoperacionit 'Tempulli 3', është pyetur nga gazetarët edhe për rastin e goditjes së drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive nga bashkëshorti i ministres Delinda Ibrahimaj. Vocaj shprehet se është një rast që po e heton Prokuroria.
'Lidhur me këtë ngjarje, është e vitit të kaluar. Struktrurat e hetimit të komisariatit nr. 1 kanë kryer veprimet e nevojshme proceduriale. Material është referuar nga Prokuroria dhe ka nisur hetim për goditje për shkak të detyrës. Nuk është bërë e mundur kapja e autorit menjëherë. Lidhur me aludimin se ka patur mungesë transparence. Nuk hyn tek kategoritë e ngjarjeve sensitive. Ne i kemi referuar, gjitha materialet proceduriale në Prokurori. Është ajo që e ka hetuar këtë çështje', thotë Vocaj.
Bashkëshorti i ministres së Sipërmarrjes, Delina Brahimaj është përfshirë në një sulm me thikë ndaj drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj. Ngjarja ka ndodhur në nëntor 2023, por u zbulua në media 5 muaj më pas, më 26 prill 2024.
Në një reagim të saj, ministrja Ibrahimaj konfirmoi ngjarjen, duke e quajtur një “konflikt të padëshiruar, i cili ka marrë përgjigje në rrugën e drejtësisë”. Ministrja theksoi se konflikti është hetuar nga organet e drejtësisë dhe është pushuar për mungesë provash, ndërsa bashkëshorti, sipas saj, u kallëzua padrejtësisht “për diçka që nuk e ka bërë, gjë që u konfirmua edhe nga vendimi i organeve të akuzës”.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Oriola Pampuri në një deklaratë për mediat ka reaguar pas qëndrimet të kryepolicit të Tiranës, Tomnin Vocaj mbi ngjarjen ku burri i ministres Delina Ibrahimaj goditi drejtorin e Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Sipas Pampuri, përgjigja e Vicajt se ngjarja nuk u publikua se nuk futej në ngjarjet sensitive është e rëndë dhe tregon se ligji nuk është i barabartë për të gjithë.
"Përgjigjja e kryepolicit të Tiranës lidhur me rastin e bashkëshortit të ministres Ibrahimaj është i rëndë dhe vërteton pikërisht akuzën e PD që ligji në këtë vend nuk është i barabartë për të gjithë. Problemi i mospasqyrimit të lajmit nuk ka të bëjë me sensacionin, por me mbajtjen fshehur të ngjarjes pikërisht se i akuzuari ishte burri i ministres së qeverisë Rama.
Ajo që e bën edhe më të rëndë është deklarata se ishte e pamundur shoqërimi dhe arrestimi i bashkëshortit të ministres, por materialet iu referuan prokurorisë. A është kjo e njëjta procedurë edhe për njerëzit e zakonshëm? Përse e kishte të vështirë policia e shtetit për ta shoqëruar dhe për ta proceduar bashkëshortin e ministres Ibrahimaj?
Në cilën shtëpi u fsheh ai që policia nuk e gjeti dot dhe nuk arriti ta procedojë? Nëse një shqiptar i zakonshëm do të bënte një goditje për shkak të detyrës apo plagosje me thikë, a do të ishte e njëjtë sjellja e policisë së shtetit?
Në qeverisjen e Edi Ramës shqiptarët nuk janë të barabartë! Ka disa që arrestohen për gjëra të vogla dhe të tjerë që "tolerohen" për gjëra të mëdha! Kjo është pabarazi!
Rasti i burrit të ministres Ibrahimaj është pikërisht ky! Prandaj PD zotohet për barazi përpara ligjit për të gjithë! Vetëm kështu Shqipëria do të jetë e jetueshme për njerëzit", tha Pampuri.