Report TV zbardh detaje lidhur me skemën e mashtrimit online të goditur nga policia e Fierit që funksiononte si një firmë piramidale, ku u vunë në pranga 6 persona dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim. Më shumë se 900 persona nga Lushnja, Fieri e Divjaka kanë rënë pre e mashtrimit. Nga Divjaka janë kryesisht bujq, të cilët kanë shitur edhe mjete bujqësore për të investuar në këtë skemë.
Skema që përdornin agjentët
Burime policore bëjnë me dije për Report TV se në skemat e mashtrimit online agjentët duhet të gjenin të paktën 5 persona që mund të ishin përfitues. Ata duhet të gjenin secili nga 5 të tjerë dhe kështu skema shtrihej gjerësisht. Qytetarëve iu premtoheshin fitime të larta përmes investimeve në kriptomonedha, ndërsa udhëzimet jepeshin në grupe të mbyllura në aplikacionin Telegram nga një identitet i quajtur Leo Smith.
Të arrestuarit ishin përfituesit më të mëdhenj, të cilët kanë përfituar shuma të mëdha parash. Megjithatë, ende nuk ka një shifër të saktë të personave të dëmtuar, pasi policia e Fierit e ka lënë të hapur thirrjen për denoncime. Për momentin, platforma XUEX është bllokuar dhe paratë konsiderohen të humbura. Veçanërisht në Divjakë dhe Lushnje ka një situatë tepër tensionuese mes të mashtruarve dhe agjentëve, të cilët i joshën të bëhen pjesë e kësaj skeme. Në këtë platformë, ka patur shumë deri në 20 mijë dollarë.
Të arrestuarit
Në kuadër të këtij operacioni të koduar "Xuex", policia njoftoi dje arrestimin e Arbër Çela 38-vjeç, Emanuel Taullau 21-vjeç, Flavio Mukaj 23-vjeç, Marius Kodra 28-vjeç, Brunilda Todi 38-vjeçe dhe Brunilda Ndini 38-vjeçe. Në kërkim u shpallën çifti i bashkëshortëve Ereledio Shebeku dhe Alma Shebeku, të dy 35 vjeç.
Aksioni nisi në Fier dhe u shtri në Tiranë, Dibër, Berat e Gramsh, ku u bënë 83 kontrolle ndaj personave dhe banesave. Baza e grupit ishte një lokal në Lushnje, në pronësi të Arbër Çelës. Gjithashtu, për llogari të hetimit, autoritetet shqiptare bllokuan 6 llogari të kriptomonedhave. Të arrestuarit ishin agjentë në terren që promovonin dhe rekrutonin qytetarët për të investuar në kriptomonedha si USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre.
Komente
