Kronikë

Goditja e 'Çopjave'/ Trafikuan 28 ton kokainë në Evropë, GJKKO lë në burg 7 nga të arrestuarit, një në arrest shtëpie! Dy në detyrim paraqitje

10 Gusht, 15:05| Përditesimi: 10 Gusht, 16:29

  • Share

Ervis Çela, i cili së bashku me Franc Çopjan ishte kreu i organizatës kriminale që solli 28 ton kokainë nga Amerika latine në Evropë për vetëm 2 ngarkesa, është lënë në burg këtë të diel nga Gjykata e Posaçme në Tiranë. 

Pas seancës disa orëshe, GJKKO konfirmoi arrestet me burg edhe për 6 të prangosur të tjerë, Albin Çela alias Defrim Çela, Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani, Renato Musaku, Gert Çerma, Marenglen Kamami dhe Elidon Çela. I vetmi nga 8 të prangosurit për të cilin Gjykata ka zbutur masën e sigurisë është Riza Çela, të cilin e ka çuar në arrest shtëpie.

Togat e zeza kanë konfirmuar edhe masën “detyrim paraqitje” për dy shoferë autobusësh, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa.

Në kërkim edhe 5 persona, ndërsa Franc Çopja ndodhet i arrestuar në Belgjikë.

Të premten SPAK u nis në disa qytete të vendit, kryesisht në Elbasan, Tiranë, Durrës e Lushnjë për të zbatuar 16 masat e sigurisë sigurie, 14 arreste me burg dhe 2 detyrim paraqitjeje, për organizatën kriminale të Çopjave.

Prokuroria e Posaçme njoftoi se Franc Çopja dhe Ervis Çela, të evidentuar si krerë të organizatës, operonin në një shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale për të lehtësuar transportet e kokainës drejt porteve evropiane dhe investonoin fitimet e mëdha në prona dhe biznese në Shqipëri dhe jashtë saj.

Paratë i sillnin me autobusë por edhe përmes sistemeve informale të transfertave të njohur si “hawala” ose “token”.

SPAK evidenton 2 ngarkesa të mëdha kokaine të shtatorit 2020 dhe të dhjetorit 2020, e para nga Paraguai drejt Belgjikës dhe e dyta nga vendi latin drejt Gjermanisë. Në ngarkesën e parë u organizua trafikimi i 11.6 tonëve kokainë, ndërsa e dyta ishin 16.4 ton kokainë. Vlera vetëm e ngarkesës së dytë shkonte nga 1.5 deri 3.5 miliard euro dhe u sekuestrua nga autoritetet doganore gjermane.  

Ngarkesat e mëdha të kokainës siguroheshin direkt nga prodhuesit prej drejtuesit Ervis Çelaj dhe vëllait të tij Ardian Çelaj. Të dy jetonin në vendin amerikano latin.

GJKKO vendosi sekuestrimin preventiv për gjithsej 14 pasuri të llojeve të ndryshme me vlera disa miliona eurosh, duke përfshirë resorte, vila, apartamente, trualle, automjete dhe kuota në shoqëri, në emër të personave nën hetim. Mes pronave të sekuestruara ishte edhe “Ajman PARK” Resort ku përfshihen hotele, godina shërbimi, restorant dhe ambiente tregtare,  Xhafzotaj, Durrës, si dhe një vilë dy katëshe tip “ELYSIAN”, në bregdetin e Dhërmiut me vlerë afërsisht 1.000.000 Euro. Të dyja këto prona janë në emër Julian alias Hysni Balla, aktualisht presidenti i klubit të Erzenit, ndaj të cilit ka një masë arresti me burg por është ende në kërkim.

Arrest në burg:
1. Ervis Çela
2. Albin Çela alias Defrim Çela
3. Petrit Lakatos alias Petrit Sulejmani
4. Renato Musaku
5. Gert Çerma
6. Marenglen Kamami
7. Elidon Çela
Arrest në shtëpi
1. Riza Çela
Detyrim paraqitje
1. Kujtim Gjyla
2. Ditjon Pepa

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?