Tryeza e zhvilluar me ekspertët e Komisionit 'Xhafaj'

Goditja e korrupsionit politik, financimi i partive dhe kufizimi për punësimin e titullarëve pas mbarimit të detyrës! Zbardhen disa nga propozimet në Komisionin e Posaçëm

13 Nëntor, 09:47| Përditesimi: 13 Nëntor, 10:39

  • Share

“Parandalimi i korrupsionit politik - Integriteti i të zgjedhurve dhe drejtuesve të nivelit të lartë dhe parandalimi i hapësirave të legjislacionit për korrupsion/lobim” ishte tema e tryezës së radhës të zhvilluar nga ekspertët e Komisionit të Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit. Nën moderimin e Arjan Dyrmishit, drejtor Ekzekutiv i “Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes” morën pjesë përfaqësues të universiteteve publike e jopublike, shoqërisë civile, institucioneve të pavarura, agjencive ekzekuzive ligjzbatuese, organizatat e biznesit, anëtarë të Komisionit të Posaçëm, etj.

Të pranishëm ishin gjithashtu edhe ekspertë dhe përfaqësues të huaj të atashuar pranë komisionit nga: Delegacioni i BE-së, Ambasada amerikane në Tiranë, Ambasada franceze, ambasada britanike, Zyra e Këshillit të Europës në Tiranë, Prezenca e OSBE-së, etj. Prezantimin e gjetjeve kryesore të analizës paraprake lidhur me integritetin e të zgjedhurve dhe drejtuesve të nivelit të lartë, financimin e fushatave zgjedhore, korrupsionin transnacional dhe parandalimin e korrupsionit në procesin legjislativ, u bënë nga Prof. Asoc. Dr. Enkeleda Olldashi, pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë dhe znj. Erisa Proko, nga Instituti për zhvillim strategjik.

Ekspertët prezantuan gjetjet e analizës së tyre të deritanishme, si dhe ndanë disa rekomandime për ndërhyrjet që duhen adresuar lidhur me masat ligjore dhe mekanizmat institucional për të rritur transparencën dhe parandaluar korrupsionin në procesin legjislativ. Mes propozimeve interesante ishte edhe ai për krijimin e një Autoriteti të Pavarur Antikorrupsion.

Komision i pavarur mbikëqyrës për monitorimin e integritetit - konflikti i interesit

Në nisje të prezantimit ekspertët vlerësuar se Integriteti dhe parandalimi i korrupsionit janë dy elementë që duhet të ndërthuren dhe për këtë arsye nevojiten disa mekanizma për Forcimin e Kodit të Sjelljes së deputetëve, i cili është miratuar në vitin 2018. Bazuar edhe në gjetjet, problematikat dhe rekomandimet e raporteve të Komisionit Evropian dhe GRECO-s, ekspertët vlerësuan nevojën e përcaktimit të rregullave të qarta për sanksionet në rast të shkeljeve të konfliktit të interesit, kontakteve me lobistët ose aktiviteteve të tjera të ndaluara për deputetët; krijimin e një platforme publike ku çdo kontakt dhe çdo propozim i bërë nga lobistët të bëhet publik dhe të mund të ndiqet nga qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile, si dhe vendosjen e një mekanizmi mbikëqyrjeje të pavarur.

Ekspertët vlerësuan se një nga ndërhyrjet më të rëndësishme është krijimi i një mekanizmi të pavarur për mbikëqyrjen e zbatimit të Kodit të Sjelljes dhe raportimin e shkeljeve, i cili mund të përfshijë organizata joqeveritare, ekspertë të pavarur, duke forcuar besimin e qytetarëve në sistemin politik. 

Kufizimet përpara punësimit në sektorin publik

Lidhur me adresimin e konfliktit të interesave në nivelet e larta të qeverisjes, ekspertët kanë konstatuar se nuk ka thuajse asnjë rregullim në kuadrin e brendshëm lidhur me përcaktimin e kufizimeve përpara punësimit në sektorin publik, e cila mund të shërbejë si një mundësi për drejtues me funksione të larta në operatorët privatë të ndjekin e përcaktojnë politikat shtetërore në favor të sektorit apo shoqërisë tregtare nga e cila vijnë.

Për këtë ekspertët sugjeruan përcaktimin e rregullave më të qarta për anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe këshilltarët politikë lidhur me kufizimin pas përfundimit të funksionit lidhur me sektorin ku mund të punësohen dhe periudhën e ndalimit, parashikimin e mekanizmave të përshtatshëm për garantimin e zbatimit efektiv të Kodit Ministror të Etikës; forcimin e pavarësisë së Komisionit të Etikës; përcaktimi për herë të parë i rregullave apo shqyrtimit të imtësishëm të punësimit në sektorin publik të drejtuesve apo aksionerëve të shoqërive tregtare të cilët marrin poste publike përmes të cilave orientojnë politikat në drejtim të biznesit të tyre.

Forcimi dhe zgjerimi i kompetencave të ILDKPI

Për sa i përket Deklarimit dhe verifikimit të pasurive që bëhet nga ILDKPI, ekspertët vlerësojnë se duhet pasur një fokus më i madh në identifikimin e parregullsive dhe zbatimin e sanksioneve kur ka mosdeklarime ose deklarime të rreme, ç'ka do të përmirësonte transparencën dhe ndihmon në mbrojtjen e integritetit të institucioneve publike. Aktualisht, ky kufizim e pengon këtë institucion të kryejë auditime efektive dhe për këtë arsye është e nevojshme zgjerimi i kompetencave të këtyre institucioneve për të përmirësuar kontrollin dhe transparencën në verifikimin e pasurive të zyrtarëve të lartë.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i reformës, i evidentuar nga ekspertët është përfshirja e një qasjeje më të detajuar dhe gjithëpërfshirëse në kontrollet e deklaratave, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë së avancuar për të monitoruar pasuritë dhe transaksionet financiare të zyrtarëve.

Kontrolli i financimeve të partive politike dhe fushatave elektorale

Lidhur me financimin dhe transparencën e fushatave elektorale të partive politike ekspertët kanë identifikuar disa mekanizma që mund të adresohen për forcimin e Kodit Zgjedhor apo ligjit “Për partitë politike.

Rekomandimet dhe nevoja për ndërhyrje lidhen me: përcaktimin qartë në ligj se cilët do të konsiderohen “palë të treta” dhe rregullave që parandalojnë abuzimet nga burime të fshehta financimi; detyrimin ligjor të partive politike për publikimin e të gjitha informacionet financiare mbi burimet e financimit dhe shpenzimet e tyre; rishikimi i mënyrës se si bëhet auditimi i financave të partive politike; përcaktimet e kufizimeve specifike për vetëfinancimin e kandidatëve, si dhe për donatorët individualë apo entitete të tjera në Kod Zgjedhor; përcaktimin qartë nëse ulja e çmimit të reklamave apo mbulimi mediatik i padeklaruar i partive politike dhe kandidatëve do të konsiderohet si "dhënie fondesh"; krijimin e rregullave specifike për financimin dixhital të fushatave, për të siguruar transparencë dhe kontroll të rregulluar të shpenzimeve në hapësirën online; përcaktimin e rregullave të qarta për përfitimet jo-financiare si shërbimet mediatike që mund të ndikojnë në politikën gjatë fushatave; raportimin e burimeve të financimit nga palët e treta, përfshirë organizatat joqeveritare dhe individët që nuk janë kandidatë, por përfshihen në fushata.

Krijimi i Zyrës së Rikuperimit të Aseteve dhe miratimi i Konventës së OECD

Lidhur me parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit transnacional të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve ekspertët vlerësojnë se legjislacioni aktual është pjesërisht i përafruar me Konventën për Luftën kundër Korrupsionit të Zyrtarëve të Huaj Publikë në Transaksionet e Biznesit Ndërkombëtar, por ka ende hapësira të rëndësishme për përmirësim. 

Ekspertët rekomandojnë: Krijimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve për Forcimin e Luftës Kundër Korrupsionit dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar; miratimin e projektligjit për Zyrën e Rikuperimit të Aseteve, i cili do të ndihmojë në rikuperimin e aseteve të fituara nga korrupsioni dhe të transferuara jashtë vendit, duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zbatimin e masave për gjurmimin, ngrirjen, dhe konfiskimin e tyre; përshpejtimin e ratifikimit të Konventës për Luftën kundër Korrupsionit të Zyrtarëve Publikë të Huaj, e cila vendos standarde ligjore detyruese për kriminalizimin e ryshfetit ndaj zyrtarëve të huaj në transaksionet ndërkombëtare të biznesit.

Kontrolli i hapësirave të korrupsionit të ligjbërjes me një strukturë të posaçme në Parlament

Lidhur me mekanizmat për parandalimin dhe kontrollin e korrupsionit në procesin legjislativ, ekspertët rekomanduan se Kuvendi duhet t’u japë prioritet përpjekjeve për të mbështetur aktivitetet e institucioneve të pavarura.

Kjo duhet të përfshijë përparësinë e emërimeve të drejtuesve të këtyre institucioneve dhe sigurimin e kritereve të qarta të përzgjedhjes dhe një testi të kompetencës profesionale. Individët me lidhje me partitë politike nuk duhet të konsiderohen për pozita drejtuese brenda institucioneve të pavarura.

Propozime të tjera

Elemente të tjera të propozuara janë: përforcimi i transparencës përmes vendosjes së detyrimit për publikimin e programit të punës së Qeverisë; si dhe ndërmarrja e nismës nga Kuvendi për krijimin e një organi të specializuar ose të delegojë këtë funksion një organi ekzistues, i cili do të jetë përgjegjës për kontrollin paraprak të projektakteve ligjore, me qëllim identifikimin e riskut për korrupsion. 

Ky kontroll duhet të realizohet në përputhje me një metodologji të qartë dhe të miratuar, si aneks i një akti ligjor të miratuar nga Kuvendi.

Gjatë diksutimeve z.Ilirjan Celibashi, kreu i KQZ, nënvizoi nevojën për adresimin e të gjitha problematikave që lidhen me financimin e partive politike dhe kandidatëve, gjetjen e mekanizmave për detyrimin e deklarimit të palëve të treta, rregullat mbi zhvillimin e fushatës zgjedhore në rrjete sociale, etj., të cilat KQZ i ka evidentuar më herët në bashkëpunim me partnerë të ndryshëm dhe i ka adresuar si rekomandime për ndryshime në Kodin Zgjedhor. 

Përfaqësuesi i NDI, z.Vildan Plepi, sugjeroi për ekspertët vlerësimin për propozimin e një ligji të veçantë për financimin e partive politikë, përcaktimin e detyrimit për deklarimin e palëve e treta, ku keni vënë re fushatë elektorale kush i mbështeste, vendosjen e një detyrimi pengues për financimin e partive dhe fushatave elektorale me kriptomonedha, etj.

Znj. Erinda Ballanca, Avokat i Popullit, solli nevojën për të mënjanuar interesin e papërshtatshëm dhe adresimin në mënyrë thelbësore të gjetjes së mekanizmave për të garantuar mospërfshirjen e administratës zgjedhore në proceset zgjedhore, etj. Po kështu ajo theksoi nevojën e përcaktimit të grupeve të interesit të papërshtatshme ose kur kanë konflikt interesi në procesin e hartimit të ligjeve të caktuara.

Z. Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe përfaqësuesit e WFD, sollën në diskutime nevojën për zhvillimin e platformave proaktive dhe forcimit të mekanizmave dhe afateve të konsultimit publik për të garantuar transparencën, ç’ka është element i rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit.

Anëtarja e Komisionit të Posaçën, znj.Etilda Gjonaj në përfundim të takimit vlerësoi rolin e ekspertëve dhe ekspertizës së tyre të pavarur në sjelljen e rekomandimeve për parandalimin e  korrupsionit politik, si dhe falënderoi edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë për angazhimin e tyre aktiv në tryezat publike që po zhvillohen në kuadër të punës së Komisionit të Posaçëm.

Përmbledhjet ekzekutive të ekspertëve për draft Dokumentin Analitik janë të publikuara në faqen web të Komisionit të Posaçëm, “masl.al”.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?