Kryepolici Ilir Proda e quan model suksesi në rajon bashkëpunimin me policinë e Kosovës, duke iu referuar veçanërisht goditjeve të njëpasnjëshme të disa grupeve që trafikojnë armë zjarri nga Kosova në Shqipëri.
Rasti më i fundit u godit të premten në Kukës, e për këtë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, ndan një falënderim për strukturat vendore të policisë, por edhe për qytetarët, që sipas Ilir Prodës, po besojnë gjithnjë e më shumë te Policia e Shtetit
“Shpreh falënderimin dhe vlerësimin maksimal për strukturat e Policisë së Kukësit, për efektivët e patrullës, të Shqiponjave dhe specialistët e hetimit, të cilët, me profesionalizëm dhe angazhim të lartë, goditën një rast të trafikimit të armëve të zjarrit në sasi të mëdha, duke sekuestruar 8 armë zjarri të llojit pistoletë dhe vunë në pranga dy shtetas nga Kosova.
Armët janë burimi kryesor i ngjarjeve kriminale, i krimeve ndaj jetës dhe pronës, si dhe një rrezik i vazhdueshëm për rendin publik. Çdo armë e ndaluar, në kufi apo në territorin tonë, është një jetë e shpëtuar. Rastet e shumta të armëmbajtjes pa leje, të goditura së fundmi në të gjithë vendin, flasin për një angazhim të palëkundur të Policisë së Shtetit. Çdo rrjet i çmontuar është një krim i parandaluar.
Policia e Shtetit është e përfshirë maksimalisht në veprime parandaluese, hetimore dhe operacionale, brenda dhe jashtë vendit, në bashkëpunim me partnerët tanë, për të luftuar krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti.
Në këtë betejë të përditshme, jam i bindur se suksesi i plotë vjen vetëm me bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, shoqërinë civile, të rinjtë e të rejat dhe median.
Ndërsa ne punojmë për sigurinë tuaj, ju ftoj të qëndroni pranë Policisë, të bashkëpunoni dhe të jeni pjesë e kësaj fryme të re të besimit dhe respektit reciprok.
Së bashku, do të forcojmë edhe më shumë sigurinë, duke përmirësuar më tej imazhin e Shqipërisë, e cila është dhe mbetet një vend i sigurt dhe mikpritës, për të gjithë vizitorët dhe turistët nga mbarë bota që zgjedhin të vijnë dhe të njohin bukuritë tona.
Faleminderit strukturave të Policisë për profesionalizmin dhe angazhimin maksimal, edhe në këto ditë shumë të nxehta.
Faleminderit qytetarëve që dita-ditës besojnë gjithnjë e më shumë te Policia e Shtetit.
Mesazhi im është i qartë: Siguria nuk negociohet! Policia dhe qytetarët, një forcë e pandalshme”,- shprehet Proda.
Komente
