Goditja nga pandemia, shtyhet afati për 'Garancinë Sovrane 2' deri në 30 qershor, nga 15 miliardë u përdorën vetëm 5

22 Janar 2021, 10:56| Përditesimi: 22 Janar 2021, 15:43

  • Share

Aplikimet për 'Garancinë Sovrane 2' nuk kanë qenë në nivelin e pritshëm. Kjo ka bërë që Ministria e Financave, me kërkesë të Shoqatës së Bankave ta shtyjë afatin për aplikimet deri në 30 qershor. Kërkesa e Shoqatës së Bankave pasi bizneset vijojnë të kenë interes për këtë program

Sipas Ministrisë deri në fund të vitit 2020, garancia shtetërore, e miratuar me një vlerë totale prej 15 miliardë Lekë, është përdorur në vlerën prej më tepër se 5 miliardë Lekë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë bën me dije se se miratoi kërkesën e Shoqatës Shqiptare të Bankave (SHSHB), e cila ka vlerësuar të nevojshme një shtyrje tjetër të afatit për aplikim sipas kësaj skeme kredidhënie të mbështetur me garanci shtetërore, në kushtet ku ka akoma subjekte të interesuara për të përfituar nga kjo skemë, ky afat shtyhet deri më datë 30 qershor 2021.

"Shtyrja e afatit për aplikime deri në mesin e vitit 2021 do të mundësojë përfitimin nga një masë më e madhe biznesesh, aktiviteti, i të cilave është goditur nga pandemia e COVID-19. Sipas SHSHB-së, deri në fund te muajit dhjetor 2020, që përkon dhe me afatin e fundit për aplikime sipas skemës së kësaj garancie, kanë përfituar 308 biznese, kryesisht në sektorin e tregtisë, shërbimit apo prodhimit, në favor, të të cilave janë miratuar kredi, linja kredie apo overdrafte, në një vlerë totale prej rreth 8.95 miliardë Lekë. Në kushtet ku garancia sovrane mbulon 60% të vlerës së kredive, rezulton që deri në fund të vitit 2020, garancia shtetërore, e miratuar me një vlerë totale prej 15 miliardë Lekë, të jetë përdorur në vlerën prej më tepër se 5 miliardë Lekë (mbi 30%).  Theksojmë se, bankat kanë aplikime që janë akoma në proces vlerësimi, të cilat në mënyrë të vazhdueshme e rrisin këtë vlerë të përdorimit të mbështetjes me garanci shtetërore", thuhet nw njoftim.

Këtë vendim, e pati paralajmëruar edhe ministrja Anila Denaj në një intervistë të dhënë më parë për Report Tv.

Denaj shprehej se garancia e dytë sovrane është dhënë për kapital qarkullues, është e ndarë në rrisk ne kemi 60% bankat kanë 40% dhe ato do të bëjnë një analizë të thelluar sepse dhe banka duhet të marrë paratë mbrapsht. "Janë 577 biznese që kanë aplikuar dhe unë sot kam firmosur shtyrjen e afatit sepse ka interes. Ne afatin do ta shtyjmë sa kohë kanë nevojë bankat-bizneset kjo është e sigurt”, pati thënë ministrja.

Garancia e dytë sovrane është në vlerën e 150 milionë dollarëve, do të jetë me normë interesi deri në 5%, dhe nuk mbulohet e gjitha nga shteti. Në këtë linjë të dytë shteti do të garantojë 60% të vlerës së kredisë ndërsa 40% mbulohet nga bankat, pra bankat do të kenë të drejtën të kërkojnë edhe kolateral për pjesën që mbulojnë vetë.  Vlera e kredisë së vendosur në dispozicion nga huadhënësi për huamarrësin në asnjë rast nuk do të jetë më e lartë se 300 milion lekë. Po ashtu asnjë bankë nuk do të japë kredi më shumë se 50% të vlerës së garancisë që ka në dispozicion, për huamarrës që kërkojnë më shumë se150 milionë lekë.

Ndërkohë bizneset që do të marrin kredinë mund ta përdorin për kolateral dhe për investime, dhe në momentin që biznesi nuk paguan këstin Ministria e Financave paguan këstin e saj, ndërsa bankat kanë garanci për 40% e kredisë kolateralin e lënë nga biznesi.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?