Gjiganti i rrjeteve sociale ‘Meta’, që ka në pronësi “Facebook”, ‘Instagram’ dhe ‘Whats’app’ njoftoi të martën se do të mbyllë 10 mijë vende pune si dhe do t’i anulojë konkurset për pesë mijë vende të tjera pune.
Bashkëthemeluesi dhe shefi ekzekutiv, Mark Zuckerberg, tha se planet e rikonstruktimit janë të përqendruara tek anulimi i projekteve me rëndësi të vogël dhe zvogëlimi i shkallës së punësimit, raporton agjencia “Anadolu”.
“Me më pak punësim, unë e kam marrë vendimin e vështirë për zvogëlimin e mëtejmë të ekipit tonë rekrutues. Ne presim që të njoftojmë ristrukturime dhe largime në grupet tona të teknologjisë në fundin e prillit, dhe pastaj në grupet tona të biznesit në fundin e majit. Në një numër të vogël të rasteve, mund të nevojitet kohë deri në fundin e vitit për t’i plotësuar këto ndryshime”- tha miliarderi amerikan.
Ai e cilësoi vitin 2023 si vit të efikasitetit, duke thënë se mbyllja e këtyre vendeve të punës do të shërbejë për të ndërtuar “një kompani më të hollë, më teknike” dhe shtoi: “Në Vitin tonë të Efikasitetit, ne do ta bëjmë organizatën tonë më të rrafshët përmes heqjes së shtresave të shumëfishta të menaxhimit.”
Kompania “Meta” largoi nga puna më shumë se 11 mijë punëtorë në nëntor, duke e zvogëluar fuqinë punëtorë për 13 për qind.
Pas njoftimit për mbylljen e re të vendeve të punës, vlera e aksioneve të kompanisë shënoi rritje për 5,6 për qind në bursën “Nasdaq” në orën 9 e 50 minuta sipas zonës kohore të lindjes.