Goditje shkatërruese për Boris Johnsonin

26 Shtator 2019, 11:55| Përditesimi: 26 Shtator 2019, 11:58

  • Share

Guximi i tepruar vjen para rrënimit. Kjo vlen për mosrespektimin e rregullave konsitucionale, të cilat luajnë në Britaninë e Madhe rolin e kushtetutës. Kjo vlen për mosrespektimin e ligjeve dhe pavarësisë së gjyqësorit. Dhe po ashtu vlen për mosrespektimin e parlamentit dhe të drejtave e detyrave të tij. Boris Johnson besonte se mund të dilte kundër të gjithëve dhe ashtu siç do të bënte një sundimtar autoritar të detyronte zbatimin e idesë së tij për Brexitin. Vendimi i Gjykatës Supreme ra si rrufe mbi ambiciet antidemokratike të kryeministrit.

Nëna e parlamenteve fiton mbi babanë e gënjeshtrës

Gjykatësit e Lartë në Londër morrën në unanimitet vendimin që nuk e priste kurrkush. Ata e kthyen mbrapsht pezullimin e Parlamentit dhe e deklaruan të padrejtë që nga fillimi. Një orë më vonë, deputetët e parë u ulën në mënyrë simbolike në bankat e Dhomës së Ulët. E vetmja gjë që Gjykata nuk ia tha Boris Johnsonit ishte që gënjeu Mbretëreshën, kur e këshilloi që të dërgonte në pushim të detyruar Parlamentin. Por vendimi i Gjykatës lë të nënkuptohet kjo gënjeshtër.

Kjo është luftë midis nënës së parlamenteve dhe babait të gënjeshtrave, pati formuluar një prokuror gjatë zhvillimit të procesit. Kjo luftë fitohet nga demokracia parlamentare. Është tani detyrë e deputetëve të venë para përgjegjësisë qeverinë, dhe këtë të drejtë dhe detyrë kryeministri nuk mund ta pezullojë sipas dëshirës, me argumentime fallso, thotë Gjykata në mënyrë të prerë.

Vendimi i Gjykatës është më shumë se një goditje politike për Boris Johnsonin. Atij i duhet të mësojë një herë e përgjithmonë se ekzekutivi nuk mund të zhvendosë sipas dëshirës balancën e pushteteve midis parlamentit dhe qeverisë, në favor të tij. Veprimtaria e ekzekutivit duhet kontrolluar gjithnjë dhe në çdo rast nga deputetët e zgjedhur. Juristët britanikë e quajtën vendimin e gjykatës tërmet, sepse ky princip përforcohet tani edhe nga një vendim i Gjykatës së Lartë.

Johnson është bërë për të dhënë dorëheqjen

Në kushte normale një vendim i tillë gjykate do të ishte arsye për dorëheqje të menjëhershme. Për herë të parë në historinë britanike Gjykata e Lartë thotë, se një kryeministër ka vepruar në kundërshtim me ligjin në një çështje kaq elementare. Por Boris Johnson me siguri që do të mbahet pas parimit të tij, që thotë se paturpësia fiton. Opozita duhet tani të mbledhë veten për t’i dhënë fund hijes që ka rënë në Downing Street. Një qeveri kalimtare do të ishte rruga më e mirë për qorrsokakun politik, edhe sa i përket procedimit të mëtejshëm të Brexitit.

Në periudhën e shkurtër të qëndrimit në post Boris Johnson i shkaktoi institucioneve demokratike të vendit shumë më tepër dëme, se sa të tjerët në dekada. Ai tregoi se nuk i respekton ligjet dhe rregullat e Britanisë së madhe, dhe i shkeli ato me të dy këmbët. Kjo shkaktoi një spektakël të rrallë, ku mes të tjerash Tory John Major, vetë kryeministër deri më 1997 hapi gjyq në Gjykatën e Lartë kundër mbajtësit aktual të postit. Partia Konservatore duhet të shpëtojë besueshmërinë e saj dhe të ndahet nga shkatërruesi më i madh i vlerave dhe parimeve të saj.

Forca e një personi të vetëm

Pavarësisht nga përforcimi që Gjykata Supreme i bëri të drejtave të Parlamentit, ekziston edhe një aspekt tjetër inkurajues në procesin e zhvilluar në Londër. Ai tregon që një qytetar i vetëm nuk është i pambrojtur përballë shkatërrimit të parimeve demokratike. Biznesmenia Gina Miller, duke sakrifikuar personalisht dhe financiarisht, e çoi dy herë deri në Gjykatën e Lartë luftën e saj për demokracinë parlamentare dhe fitoi të dy herët. Ishte ajo që u përpoq për procesin, sidomos avokati i saj që arriti të bindte gjykatësit me qartësinë e argumentimeve të tij. Shembulli i saj tregon se ia vlen të luftosh, që edhe një person i vetëm nuk duhet të heshtë kur qeveritë shkatërrojnë demokracinë.

Por Boris Johnson, që besonte se mund të hipë mbi ligjet, duhet të fusë kokën në vrimë të miut. Tani e ka radhën opozita, që ta mbyllë vrimën dhe të sigurojë që ai të zhduket përgjithnjë nga politika britanike. Dhe ajo që mbetet pastaj, është siç ndodhte në Romën e vjetër, që emri i tij të harrohet. Për kryeministrin që meriton të ndëshkohet, dënim më të rëndë nuk ka.

G.M./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?