Pamje satelitore nga Fordow

Bota

Goditjet në Fordow dhe objektiva të tjerë, sa dëme i shkaktohen atomit iranian?

23 Qershor, 08:18| Përditesimi: 23 Qershor, 10:20

  • Share

Protagonistët e krizës “vallëzojnë” me versionet, ofrojnë interpretime mbi efektivitetin apo jo të “Çekanit të Mesnatës”, sulmit të synuar amerikan mbi tre objektet bërthamore iraniane. Pas deklaratave triumfaliste të Donald Trump, erdhën komentet e kujdesshme të zyrtarëve të tjerë që, si zakonisht në raste të tilla, paralajmëruan se do të duhet kohë për të kuptuar pasojat reale.

Vlerësimet

“E kemi fshirë nga faqja e dheut”, deklaroi gjatë natës presidenti. Por ende nuk ishin publikuar imazhet satelitore që më pas u bënë objekt analizash nga ushtarakë dhe ekspertë. Pentagoni deklaroi se, sipas vlerësimeve paraprake, ka pasur dëme të konsiderueshme, por jo shkatërrim total. Dhe pamjet kanë treguar disa pika goditjeje ku janë përqendruar analizat në distancë të analistëve. Në një vrojtim të parë duket se super-bombat GBU-57 të lëshuara nga bombarduesit B-2 Spirit kanë goditur sallat ku ndodheshin centrifugat për pasurimin e uraniumit. Këto bomba — siç dihet — janë projektuar për të shpërthyer në thellësi dhe për të krijuar një valë goditëse që ndikon mbi aparaturat, pavarësisht nëse ka apo jo shkatërrim të dukshëm të jashtëm. Janë raportuar depërtime në zonat e oxhaqeve të ventilimit dhe grumbuj dheu pranë hyrjeve. Izraelitët, nga ana e tyre, kanë qenë të rezervuar, duke thënë se është ende herët për një përfundim të qartë.

Ndryshe është pozicioni i Republikës Islamike, i strukturuar në dy pika: ka dëme të kufizuara dhe disa të plagosur, por jo raste kontaminimi; ne kishim zhvendosur pjesën më të madhe të materialit duke parashikuar sulmin. Dhe pikërisht pamjet satelitore ofrojnë një tjetër “fragment”: në ditët para ndërhyrjes janë vërejtur dhjetëra kamionë dhe buldozerë pranë impiantit. Të parët mund të kenë marrë pjesë në zhvendosjen e diçkaje, të dytët në forcimin e mureve mbrojtëse. Për këtë çështje, Sekretari i Shtetit Marco Rubio ka kërkuar që të pritet me konkluzione, pasi “do të duhen ditë” për një vlerësim të plotë.

Taktikat dhe propaganda e Malit të Shenjtë

Taktikat dhe propaganda ndikojnë në gjykimet, por po aq e vërtetë është që për shkak të veçorive të veta, Fordow — një “laborator” i varrosur sipas vlerësimeve në 80-100 metra thellësi — është konsideruar gjithnjë një objektiv i fortë. Në çdo aspekt. Edhe përpara përdorimit të GBU-57 thuhej se super bomba mund të kishte efekt të kufizuar dhe, në fakt, ishte sugjeruar se mund të nevojitej një ndërhyrje pasuese e forcave speciale.

Goditje e dyfishtë

Për drejtorin e AIEA-s, argjentinasin Rafael Grossi, objekti është shkatërruar plotësisht — të paktën në pjesën sipërfaqësore — dhe ka gjasa që dëmet të jenë të mëdha edhe në pjesën nëntokësore. Aty, një B-2 lëshoi dy bomba, një goditje që i shtohet atyre të dhëna nga IDF në fillim të operacionit “Rising Lion”, me shumë struktura të dëmtuara rëndë. Ashtu si për Fordow, edhe këtu pritet që inteligjenca të japë një përgjigje më të saktë. Qendra ka qenë e rëndësishme, madje ka qenë edhe shënjestër e Mossadit, fillimisht përmes virusit Stuxnet dhe më pas me disa shpërthime të shkaktuara nga sabotime.

Sulme në seri

Janë sërish pamjet satelitore që tregojnë një numër të madh godinash të qëlluara nga raketat lundruese të nëndetëses amerikane Georgia. Sipas një vëzhguesi, janë të paktën 19 infrastrukturat e goditura nga breshëria dhe edhe AIEA raporton për dëme të mëdha. Disa konsiderata: arma e zgjedhur nga Pentagoni për këtë objektiv ka një potencial të kufizuar; Isfahani ishte tashmë nën zjarrin izraelit, ashtu si edhe Natanzi. Ka gjasa që “kalimi” i mëparshëm të ketë përkeqësuar “plagët” ekzistuese. Nëse është kështu, thonë vëzhguesit, goditja mund të jetë e parikuperueshme.

Hapat e ardhshëm

Vlerësimi i dëmeve të shkaktuara gjatë natës përbën vetëm një pjesë të duelit. Ajo që është vërtet e rëndësishme është të kuptohet çfarë do të ndodhë me programin bërthamor të Republikës Islamike. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli synojnë ta pengojnë atë sa më shumë që të jetë e mundur dhe goditja e dyfishtë — ofensiva izraelite plus sulmi amerikan — pritet ta ngadalësojë për “muaj apo vite”. Në të kundërt, regjimi iranian, edhe për qëllime negociatash, deklaron se do të vazhdojë, premton (si zakonisht) surpriza, pranon humbje të dhimbshme, ka vendosur në siguri atë që mundi dhe — ndoshta — ka mbajtur një rrugë sekrete paralele. Si Uashingtoni ashtu edhe AIEA konfirmojnë një fakt thelbësor: teknikët kanë depozituar sasi të konsiderueshme uraniumi të pasuruar në zona të mbrojtura, veçanërisht në një “bunker” në Isfahan dhe ka të ngjarë të ketë edhe vende të tjera të fshehura, të planifikuara ndër vite. Frika amerikane është se ka mjaftueshëm “material” për të vazhduar në rrugën e konsoliduar dhe për të arritur deri te Bomba. Një projekt i menduar për të mbijetuar edhe ndaj një sulmi ushtarak. Dhe vullneti për ta realizuar është rikonfirmuar këto orë.

“Edhe nëse impiantet janë shkatërruar, kjo nuk do të thotë që loja ka përfunduar”, ka deklaruar Ali Shamkani, këshilltar i liderit Khamenei, i raportuar disa herë si i vrarë dhe që është rishfaqur për të dhënë një mesazh sfidues./Corriere della Sera

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?