Athletic Bilbao fitoi Kupën e Mbretit në Spanjë. Skuadra e Valverdes kaloi Mallorcan pas 120 minutave dhe penalltive, me finalen e Sevillas që ishte dramatike. Për ishullorët në fushë gjithë lojën ishte Vedat Muriqi që pësoi një çarje në vetull dhe luajti i fashuar, teksa në fund nuk ia doli të siguronte trofeun.
Ishte Mallorca që gjeti avantazhin pas 21 minutave lojë me Rodriguez, para se Sancet të vendoste ekuilibrat në minutën e 50-të. Koha e rregullt u mbyll 1-1 dhe skuadrat iu drejtuan dy shtesave me nga 15 minuta, të cilat veç rasteve dhe emocioneve nuk prodhuan gola.
"Ruleta" e penalltive i buzëqeshi skuadrës baske, që fitoi 4-2. Muriqi shënoi për Mallorcan, teksa gabuan Morlanes dhe Radonjic. Te Bilbao u treguan më të saktë dhe shënuan katër herë për të ngritur trofeun e Kupës së Mbretit pas 40 vitesh.
Ishte sezoni 1983-84 kur Bilbao ngrinte këtë trofe për herë të fundit, teksa e ka fituar Kupën 25 herë.