MIAMI, Florida - Real Madridi dhe Al Hilal e kanë nisur me barazim edicionin e tyre në Kupën e Botës për Klube, duke u ndarë me rezultatin 1-1 në ndeshjen hapëse të Grupit H, e zhvilluar mes të nxehtit në Miami.
Takimi solli debutimin zyrtar të dy trajnerëve të rinj në pankinat respektive, Xabi Alonsos për herë të parë në drejtimin e Real Madridit dhe Simone Inzaghi që nisi aventurën e tij në stolin e Al Hilal.
“Galaktikët” kaluan të parët në epërsi në minutën e 34-t, pas një aksioni të ndërtuar bukur që u finalizua nga Gonzalo Garcia, duke i dhënë avantazhin madrilenëve. Megjithatë Al Hilal reagoi shpejt dhe barazoi vetëm shtatë minuta më vonë me një penallti të realizuar nga Ruben Neves, pas një ndërhyrjeje të gabuar në zonë.
Drama vazhdoi deri në sekondat e fundit. Në minutën e 92-të, Federico Valverde pati mundësinë t’i jepte fitoren Realit nga pika e bardhë, por goditja e tij u ndal nga portieri Bounou, që ishte ndër më të mirët në fushë për ekipin saudit.
Grupi H vijoi me takimin e dytë në orët e para të mëngjesit me kohën shqiptare, aty ku Salzburgu fitoi 1-2 kundër Pachuca dhe merr kreun e grupit.
Komente
