GOLAT/ Dinamo 'pa busull' në Superligë, Egnatia fiton me tripletë dhe mban kreun e renditjes

6 Tetor 2023, 15:55| Përditesimi: 6 Tetor 2023, 22:13

  • Share

Superliga shqiptare e futbollit ka nisur këtë të premte me javën e tetë. Në orën 14:00 në Rrogozhinë, Egnatia vendase fitoi 3-0 kundër Dinamos. Djemtë e Edlir Tetovës dominuan me raste dhe gola, duke mos e vendosur në diskutim fitoren edhe pse mungesa e Dwamena në sulm peshon.

Ndeshja u zhbllokua pas vetëm 26 minutash lojë. Asisti i Malotës u shfrytëzua mirë nga Paulauskas, që kaloi në epërsi vendasit dhe dërgoi në festë tifozët. Për t'i vendosur "vulën" tri pikëve mendoi Zejnullai. Mesfushori realizoi në mënyrë fantastike një goditje dënimi, duke lënë të shtangur në katërkëndësh Rexhepin.

Edhe pjesa e dytë foli për djemtë e Tetovës, që kontrolluan lojën. Për t'ia bërë më të lehtë fitoren Egnatias mendoi Blendrit Krasniqi, që la Dinamon me dhjetë lojtarë në minutën e 72 pas dy kartonave të verdhë.

Në të 88 minutë duhej një aksion model dhe Aleksandro Ahmetaj që të mposhtet për herë të tretë Dinamon. Pas dy rezultateve të suksesshme, Blutë e Di Biagio humbasin për herë të pestë këtë sezon dhe me shtatë pikë pas tetë javësh janë në vendin e parafundit.

Nga ana tjetër, Egnatia merr fitoren e pestë, duke u ngjitur në kuotën e 16 pikëve në krye të renditjes. Superliga vijon nesër në 14:00 me duelin Vllaznia - Tirana në "Kukës Arena" dhe të diel me tre ndeshjet e radhës.

Ora 16:35
'Trajnerët na ndjekin në stadium, pëlqejnë lojën tonë', ironizon trajneri i Egnatias: Në 2025 e kanë vendin bosh


Egnatia ia doli të sigurojë fitoren e pestë sezonale, duke mundur 3-0 Dinamon për javën e tetë në Superligë. Skuadra e Edlir Tetovës tregoi edhe njëherë se veç lojës së mirë dhe me gola, lojtarët argëtohen në fushë dhe gjejnë njërit-tjetrin në çdo pozicion. Pas ndeshjes për MCN foli edhe trajneri i Egnatias, Edlir Tetova.

"Ishte një ndeshje që nisi vrullshëm, arritëm që të fitonim dhe dua të përgëzoj djemtë. Jam shumë i kënaqur për punën që është bërë deri tani. Dinamon nuk e prisja kështu sot, kaq shumë mbrojtëse, por këto janë filozofitë e trajnerit kundërshtar. Sot janë kthyer disa lojtarë dhe kjo më gëzon. Dwamena ka marrë një dëmtim kundër Vllaznisë dhe e kishte të pamundur që të luante sot. Vendosëm që ta linim në stol që të merrte veten. Ndeshja me Teutën më ka ngelur peng, nuk kishte Teuta raste për të fituar ndeshjen. Shumë trajnerë ndjekin Egnatian në stadium? U pëlqen loja e Egnatias, e keni derën hapur, në 2025 e keni vend bosh për të marrë vendin e trajnerit të Egnatias", tha Tetova.

Ora 16:24
Humbja e pestë sezonale për Dinamon, Luigi Di Biagio gjen alibinë: S'kam lojtarë, vetëm të futem të luaj unë


Egnatia fitoi 3-0 me Dinamon për javën e tetë në Superligë. Për Blutë e kryeqytetit kjo është humbja e pestë sezonale, me trajnerin Luigi Di Biagio që ia vendosi fajin agresivitetit të munguar dhe grupit jo të plotë.

"Nuk jam i kënaqur me ndeshjen sot, e merituam humbjen. Egnatia ishte shumë më tepër superiore karshi nesh. Ishim mirë deri kur rezultati ishte 1-0, më pas ishim shumë të brishtë. Duhet të vazhdojmë që të punojmë. Sot kemi bërë një hap mbrapa në agresivitet, kemi marrë dy rezultate pozitive para Egnatias. Tani me pushimin që kemi nga Kombëtaret do të rikuperojmë edhe ndonjë lojtar tjetër. Lorenco Vilën e futa për të na dhënë një shtyë më shumë në sulm, më pas kur ngelëm me 10 lojtarë, më duhej të hiqja një lojtar ofensiv për të qenë më shumë në ekuilibër. Zgjodha të hiqja Vilën në vend të Kacorrit, pasi në lojën në ajër, mund të prisnim diçka më shumë nga Kacorri", tha italiani i Dinamos.

Më pas Di Biagio foli edhe për mungesën e lojtarëve dhe futjen e Lorran në një pozicion jo të dashur për të.

"Kemi pasur edhe disa mungesa të rëndësishme, unë si përgjegjës për situatën duhet të punojë më shumë. Loran si qendërmbrojtës? Nuk kemi kë të fusim në fushë, nëse nuk luan Loran, duhet të futem të luaj unë. Edhe Loran luan mirë, megjithëse nuk është në pozicionin e tij më të mirë", tha trajneri për MCN.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?