Real Madrid - Barcelona, kjo do jetë finalja ‘Klasike’ e Superkupës së Spanjës. Pas Barçës, edhe Real Madrid mori biletën e mbetur për finalen arabe që luhet të diel.
Në stadiumin e Jeddah në Arabinë Saudite, skuadra e Real Madrid mposhti 3-0 Mallorcan e Vedat Muriqit në gjysmëfinale. 90 minuta në fushë sulmuesi shqiptar, por duke mos e ndihmuar dot ekipin e tij.
Madrilenët nuk e kishin të lehtë pasi ishullorët guxuan dhe pjesa e parë u mbyll pa gola. Në fraksionin e dytë Reali gjeti golin me të përhershmin Bellingham në minutën e 63-të.
Paçka se Mallorca u përpoq, skuadra e Ancelottit shënoi edhe dy herë në shtesë. Autogoli i Valjent dhe Rodrygo i dërguan shifrat më 3-0. Kështu Real Madrid do sfidojë Barcelonën në një El Clasico që është e gjitha për t’u ndjekur dhe shijuar të diel.