Premier League e futbollit në Angli filloi sezonin e ri. Kampionët në fuqi të Manchester City-t fituan në udhëtim 0-3 kundër Burnley, me Erling Haaland që tregoi se është një "përbindësh" që në fillimin e sezonit. Debutuesit e Burnley nuk mundën të reagonin përballë makinerisë së Guardiolës, me legjendën e City dhe trajnerin e vendasve, Vincent Kompany që u dorëzua kundër ish-ekipit të tij.
Dueli u zhbllokua vetëm pas katër minutave lojë, me norvegjezin Haaland që shënoi pas asistit të Rodrit. Shfaqja nuk do përfundonte këtu, pasi Haaland në të 36 minutë shënoi edhe golin e dytë, duke i dërguar të tijtë në dhomat e zhveshjes me avantazhin e dyfishtë.
Pjesa e dytë pa Pep Guardiolën të ndëshkuar me karton të verdhë në stol, pas protestave. Në të 75 minutë ishte Rodri që shënoi për 0-3 duke vulosur takimin. Në fund, kampionët aktualë të Premier League fituan me tre gola në ndeshjen hapëse të sezonit, duke treguar se do jenë pretendentë për të mbajtur fronin.
Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, u përfshi në një debat të nxehtë me Erling Haaland në fundin e pjesën së parë, pavarësisht se sulmuesi shënoi dy herë para pushimit në ndeshjen kundër Burnley.
Kampionët në fuqi të Premier League fituan 0-3 kundër Burnley-t të sapopromovuar në Premier League, me Haaland që shënoi dopietë dhe Rodri një gol.
Edhe pse ekipi i tij kishte dy gola avantazh në fundin e pjesës së parë, Guardiola nuk u përmbajt duke i dhënë një mesazh të fortë sulmuesit Haaland, rrugës për në dhomat e zhveshjes.
Guardiola shpjegoi pas ndeshjes se diskutimi u përqëndrua në dëshirën e Haaland për të luajtur me pasime pas tij, në vend që të mbante topin në këmbë, në pritje të daljes para të lojtarëve të tjerë.
“Ai e donte topin pas tij dhe ai top nuk duhej të ishte prapa. Ndonjëherë duhet të jesh i durueshëm për të gjetur momentin e duhur. Ai nuk ishte i nxehur, unë nuk jam i nxehur. Në futboll ndodh. Mos e bëni dramatike", tha Pep pas ndeshjes.