GJERMANI - Bundesliga gjermane e futbollit çeli raundin e tretë të premte. Në "BayArena" vendasit e Bayer Leverkusen fituan 3-1 kundër Eintracht Frankfut, duke marrë tri pikët e para këtë sezon. 'Aspirinat' e bënë këtë pas emërimit të trajnerit Kasper Hjulmand, teksa shkarkuan pas vetëm dy javësh në stol holandezin Erik ten Hag.
Tifozët vendas festuan shpejt, pasi Alejandro Grimaldo zhbllokoi shifrat me një goditje dënimi pas vetëm dhjetë minutave lojë. Në vazhdim, Leverkusen dominoi takimin dhe gjeti golin e dytë në limitet e pjesës së parë. Ishte Patrik Schick që nuk gaboi nga 11 metërshi, duke i dërguar të tijtë në dhomat e zhveshjes me avantazhin e dyfishtë.
Në fraksionin e dytë, konkretisht në minutën e 52-të Can Uzun shkurtoi shifrat në 2-1, për të rihapur gjithçka. Vendasit qëndruan me 'zemër të ngrirë' deri në fund të ndeshjes. Në minutën e tetë shtesë, sërish Grimaldo me një tjetër godije dënimi perfekte shënoi golin e tretë.
Megjithëse e mbylli ndeshjen me nëntë lojtarë në fushë, pas daljes me karton të kuq të Andrich dhe Fernandez, Leverkusen siguroi tri pikët e para këtë sezon dhe me katër të tilla mban përkohësisht vendin e shtatë në renditje.
Komente
