Goli i Lionel Messit

Sport

GOLAT/ Lionel Messi shënon supergol, Inter Miami përmbys 2-1 Porton dhe afrohet me kualifikimin

20 Qershor, 09:11| Përditesimi: 20 Qershor, 11:12

  • Share

Atlanta, SHBA - Inter Miami ka marrë një fitore me shumë peshë në fazën e grupeve (Grupi A) të Kupës së Botës për Klube, duke përmbysur Porton me rezultatin 2-1, falë një supergoli të Lionel Messit në pjesën e dytë.

Skuadra portugeze kaloi e para në epërsi në minutën e 18-të, kur Samu realizoi nga pika e bardhë me një goditje të fuqishme, duke i dhënë avantazhin portugezëve.

Reagimi i Inter Miamit ishte i menjëhershëm pas pushimit mes pjesëve. Një aksion i bukur i ndërtuar nga Marcelo Allende, i cili pasoi te Marcelo Weigandt, përfundoi me asistin e këtij të fundit për Telasco Segovia, i cili barazoi rezultatin me një goditje të saktë për 1-1.

Më pas në skenë doli Lionel Messi. Ylli argjentinas përfitoi nga goditja e dënimit në hyrje të zonës dhe me 'një predhë' e la sferën në trekëndësh duke vulosur fitoren e amerikanëve.

Me këtë rezultat, Inter Miami ngjitet në kuotën e 4 pikëve pas dy ndeshjesh, aq sa ka edhe Palmeiras kryesuese. Porto dhe Al Ahly mbeten me vetëm 1 pikë. Fati i grupit do të vendoset në sfidën e fundit, ku lufta për biletat e kualifikimit në fazën tjetër pritet të jetë dramatike.

Ora 11:11
VIDEO/ 'Magjia' e Lionel Messit e kapur nga kamera trupore e gjyqtarit

Lionel Messi tregon se vitet mbi shpinë janë thjesht një numër. Ylli i Inter Miami ishte deçiziv për ekipin e tij në fitoren 2-1 me përmbysje kundër Portos, në Kupën e Botës për Klube. Me portugezët në avantazh, Inter Miami përmbysi me Segovia dhe 'perlën' e Lionel Messit nga goditja e dënimit.

"Pleshti" goditi bukur me të majtën dhe dhuroi spektakël në vitrinën botërore të futbollit. Pamjet e kapura nga kamera trupore e gjyqtarit Cristián Garay janë unike.

 

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?