Moment nga ndeshja

Sport

GOLAT/ Ndeshje e 'çmendur' në Kupën e Mbretit, Barcelona barazon 4-4 kundër Atl. Madrid

26 Shkurt, 08:59| Përditesimi: 26 Shkurt, 12:03

  • Share

Barcelona dhe Atletico Madrid barazuan 4-4 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit. Në "Lluis Companys" ndeshja mes dy rivalëve mund të quhet si "e çmendur" në plot kuptimin e fjalës. Tanimë do jetë ndeshja e kthimit në Madrid më 2 prill që do vendos se cila skuadër do kalojë në finale.

Përballja nisi që nga "tuneli", me Alvarez që kaloi në epërsi madrilendët vetëm pas disa sekondave lojë, para se Griezmann të dyfishonte për Atleticon në minutën e gjashtë.

Reagimi katalanas ishte me "breshëri", duke përmbysur ndeshjen brenda pjesës së parë. Pedri në minutën e 19-të, Cubarsi në të 21' dhe Martinez në fundin e pjesës së parë bënë që vendasit të kalonin në festë.

Fraksioni i dytë nisi me Barçën që kontrolloi lojën dhe gjeti edhe golin e katërt me Lewandowskin. Kur u duk se skuadra e Hansi Flick do merrte një fitore me vlerë, këtë nuk e mendoi Atl. Madrid.

Djemtë e Diego Simeones shënuan me Llorente në minutën e 84 dhe Sorloth në shtesën e tretë për të mbyllur 4-4 një ndeshje që ishte një leksion futbolli. Gjithçka për finalen e Kupës së Spanjës mbetet e hapur mes dy skuadrave.

Pas ndeshjes, për mediet trajneri Hansi Flick tha se ishte i zhgënjyer me dhjetë minutat e fundit që Barça zhvilloi. Nga ana tjetër Diego Simeone shtoi se ekipi i tij ka 'shpirt gladiatorësh'.

Ora 12:00
Barazimi 4-4 mes Barçës dhe Atl. Madridit, Flick: Jam i zhgënjyer! Simeone: Çfarë shpirti gladiatorësh


Barcelona dhe Atletico Madrid barazuan 4-4 në një ndeshje që ishte e gjitha për t'u ndjekur dhe vlente për gjysmëfinalen e parë mes tyre në Kupën e Mbretit. Pas këtij rezultati gjithçka për kualifikimin mbetet i hapur në sfidën e kthimit më 2 prill.

Pas ndeshjes për mediet folën dy trajnerët. Hansi Flick i Barçës tha se ishte i zhgënjyer me dhjetë minutat e fundit.

“Pas asaj që ndodhi, mund të them vetëm se jam i zhgënjyer nga rezultati. Luajtëm një futboll të shkëlqyer dhe krijuam shumë raste, pasi pësuam dy gola të shpejtë në fillim.

Në fund i dhamë kundërshtarit shumë mundësi. Atletico Madridi është shumë mirë në sulm, nuk mund t’i lejosh kaq shumë hapësira. Në pushim i paralajmërova lojtarët e mi se nuk mund ta lejonim këtë, por ndodhi.

Shpresoj të luajmë si ato 75-80 minuta ku dominuam sonte, këtë pres. Shpresoj të fitojmë, do t’i analizojmë golat këtë javë, por kemi një ekip shumë të ri, që është përmirësuar shumë këtë sezon. Pas pushimit gjithçka do të jetë e mundur. Mund të fitojmë", tha Flick.

Nga ana tjetër Diego Simeone duket krenar me të tijtë duke vlerësuar 'shpirtin prej gladiatorësh' te lojtarët.

"E nisëm shumë mirë, 15 minuta të pabesueshme, avantazh me dy gola… Ata luajnë shumë mirë, krijojnë shumë raste, gjetën golin e parë që i futi në lojë dhe më pas ne bëmë disa gabime që duhet t’i përmirësojmë. Pësuam nga goditja e dënimit, gjë që nuk është e mirë për ne. Ky ekip ka një shpirt të pabesueshëm gladiatorësh. Barcelona ka armë të jashtëzakonshme, por edhe ne kemi tonat", tha mes të tjerash argjentinasi.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?