Festa e Rio Ngumoha dhe dëshpërimi i tifozëve të Newcastle

Sport

GOLAT/ Një adoleshent nderon Liverpoolin në 'frymën e fundit', të kuqtë fitojnë 2-3 kundër Newcastle

26 Gusht, 08:24| Përditesimi: 26 Gusht, 09:28

  • Share

ANGLI - Premier League e futbollit në Angli mbylli raundin e dytë. Në 'St. James Park', Newcastle u mposht 2-3 nga Liverpooli, në një ndeshje që për shumë ishte ndër më të bukurat e kampionatit anglez në vitet e fundit. Dueli u vendos në minutën e 100-të nga 16-vjeçari i Liverpoolit, Rio Ngumoha.

Përballja nisi mirë për Liverpoolin dhe goli i parë u shënua në minutën e 35-të nga Gravenberch, kjo pas pasimit final në Gakpo. Si të mos mjaftonte goli i pësuar, Newcastle mbeti edhe me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të Gordon në fundin e pjesës së parë.

Menjëherë sapo nisi fillimi i fraksionit të dytë, sërish Gakpo u bë protagonist, këtë herë me pasimin final për Ekitike, teksa Liverpool shënoi golin e dytë (46'). Kur u duke se të kuqtë kishin gjithçka nën kontroll, goli i Bruno Guimaraes me kokë në minutën e 57-të rihapi gjithçka. Për të dërguar tifozët vendas në festë mendoi Osula, i cili në minutën e 88-të vendosi ekuilibrin e përkohshëm në 2-2.

Me tifozët që menduan se përballja do mbyllej në këto shifra, 11 minutat shtesë ishin me raste. Për të rikthyer festën në anën e Liverpoolit mendoi trajneri Arne Slot i cili në minutën e 90+6 largoi nga loja Cody Gakpo për t'i bërë vend Rio Ngumoha. Talenti 16-vjeçar i Liverpoolit nuk zhgënjeu dhe pas vetëm katër minutave në fushë përfitoi nga pasimi final i Salah dhe veprimi i Szoboszlait, që me një të djathtë kalibri ta linte sferën pas krahëve të portierit Pope. Rio Ngumoha u fut në histori, duke u bërë golashënuesi më i ri i të gjitha kohërave te Liverpooli.

Kaq duhej që festa të ishte e kuqe dhe Liverpooli të shijonte tri pikët e radhës në Premier League, duke konfirmuar se kampionët në fuqi mbeten sërish në garë për të mbajtur fronin.

Ora 09:26
Dy muaj më parë luante në Rrogozhinë, Rio Ngumoha bëhet golashënuesi më i ri në historinë e Liverpoolit

16-vjeçari Rio Ngumoha i dha fitoren dje Liverpoolit në udhëtim kundër Newcastle (2-3). Adoleshenti u hodh në fushë në minutën e 90+6 dhe pas vetëm katër minutave ia doli të shënonte golin e fitores.

Interesant është fakti se disa muaj më parë ai ishte pjesë e kombëtares U-17 të Anglisë në Euro 2025 për 17-vjeçarët, që u zhvillua në vendin tonë, me një nga ndeshjet që u luajt edhe në stadiumin 'Egnatia' të Rrogozhinës.

Në historinë e Liverpoolit

Rio Ngumoha u fut në histori më 25 gusht, duke u bërë golashënuesi më i ri i të gjitha kohërave te Liverpooli. Vetëm 16 vjeç e 361 ditë, Ngumoha do e festojë ditëlindjen e 17-të më 29 gusht me një rekord.

Sulmuesi anësor theu rekordin e mëparshëm të Ben Woodburn prej 17 vitesh e 45 ditësh, të vendosur kundër Leeds United në nëntor 2016. Ngumoha iu bashkua Liverpoolit shtatorin e kaluar dhe shpejt la gjurmë, duke u bërë lojtari i dytë më i ri që ka bërë paraqitje në historinë e klubit në fillim të këtij viti. Ai gjithashtu vendosi rekordin për debutuesin më të ri të Liverpoolit në Kupën FA, pasi luajti si titullar kundër Accrington në 'Anfield'.

Golashënuesit më të rinj të Liverpoolit:

1.Rio Ngumoha - 16 vjeç, 361 ditë

2.Ben Woodburn - 17 vjeç e 45 ditë

3.Kaide Gordon - 17 vjeç, 96 ditë

4.Michael Owen - 17 vjeç, 143 ditë

5.Jordan Rossiter - 17 vjeç, 183 ditë

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?