Real Madrid fitoi 4-0 përballjen direkt kundër Gironas. Në "Santiago Bernabeu" të besuarit e Ancelottit i treguan miqve se sa peshon fanella. Surpriza katalanase e këtij viti do duhet të kënaqet me vendin e dytë.
Dueli i raundit të 24 në La Liga u zhbllokua shpejt, me Vinicius që mrekulloi me golin e minutës së gjashtë. Sërish Vinicius do dhuronte një pasim fenomenal për Bellingham, që në të 35 minutë i dërgoi shifrat në 2-0.
Po i njëjti, Bellingham shënoi edhe golin e radhës në të 54 minutë, para se Vinicius të dhuronte sërish një asist, këtë herë për Rodrygo. Me këtë sukses, Real Madrid ngjitet në kuotën e 61 pikëve për kreun e La Ligas, duke lënë Gironën me 56 pikë në vendin e dytë.
Në sfidat e tjera të ditës në La Liga, Alaves barazoi 1-1 me Villarreal, teksa Osasuna bëri befasinë duke mundur 0-1 Real Sociedadin në "San Sebastian".