OVIEDO, Spanjë - Tre gola për tri pikë, por triumfi i Real Madridit në udhëtim kundër Real Oviedos nuk ishte aq i lehtë sa mund të duket. Për raundin e dytë në La Liga, djemtë e Xabi Alonsos fituan 0-3 ndaj Real Oviedos.
Sfida u zhbllokua në minutën e 37-të nga Kylian Mbappe. Sulmuesi francez mori një pasim të bukur nga Guler dhe pas veprimit me trup doli në pozicion goditës, për të lënë topin pas krahëve të portierit Escandelli. Pjesa e parë u mbyll 0-1, paçka rasteve nga dy skuadrat.
Fraksioni i dytë pa një lojë më sulmuese, me dy portierët që ishin në lartësinë e detyrës. Alonso hodhi në fushë Vinicius në vend të Rodrygos, me këtë të fundit që nuk i fshehu nervat.
Dhjetë minuta nga fundi, Real Oviedo tronditi shtyllën e Real Madrid. Vetëm dy minuta më vonë ishte Vinicius me një pasim të bukur që asistoi për Mbappe, me këtë të fundit që shënoi dopietën personale dhe golin e qetësisë. Në shtesën e tretë Diaz pasoi për Vinicius Junior dhe ylli i 'Galaktikëve' nuk mund të gabonte për të 'vulosur' tri pikë që nuk ishin të lehta kundër ekipit që këtë sezon debuton në La Liga. Dy fitore pas dy ndeshjeve të para për Real Madrid.
Për vendasit minuta në fund mori edhe Santi Cazorla, mesfushori 40-vjeçar që po shijon rikthimin në La Liga.
Komente
