SHBA - Kupa e Botës për Klube është duke përmbyllur ndeshjet e dyta në grupe. Në Grupin H, Reali i Madridit siguroi tri pikë duke mposhtur 3-1 Pachucan; edhe pse luajtën me një lojtar më pak për 83 minuta, pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Raul Asencio. Salzburg dhe Al Hilal barazuan pa gola.
Në stadiumin "Bank of America" në Charlotte, Real Madridi u imponua dhe mposhti 3-1 rivalët e Pachuca, duke i dhënë fitoren e parë trajnerit Xabi Alonso në stolin e "Galaktikëve". Madrilenët shënuan me Bellingham dhe Guler në pjesën e parë, para se Valverde të "vuloste" ndeshjen për 3-0 në minutën e 70-të. Dhjetë minuta më vonë kishte vend edhe për golin e Montiel te meksikanët.
Në ndeshjen tjetër të Grupit H, Salzburg dhe Al Hilal barazuan 0-0. Tanimë Real Madrid mban kreun e grupit me katër pikë, aq sa ka edhe Salzburgu. Dy skuadrat do diskutojnë kreun dhe kualifikimin më 27 qershor. Nga ana tjetër Al Hilal i Simone Inzaghit mban vendin e tretë dy pikë dhe ende ka shanse për kalimin më tej; me ndeshjen e radhës që është kundër Pachuca (zero pikë).
Komente
