Armando Sadiku ka gjetur golin e tetë me fanellën e Cartagenas në La Liga 2 të Spanjës. Për javën e 30-të në kampionat, elbasanasi e ka nisur ndeshjen nga stoli për t'u aktivizuar në minutën e 76 të ndeshjes. Sadikut iu deshën vetëm gjashtë minuta lojë për të dalë te goli. Cartagena e tij fitoi 0-3 në transfertë me Ponferradina.
Një kundërsulm i shpejtë në minutën e 82 bëri që Izquierdo të asistonte për 31-vjeçarin shqiptar, me këtë të fundit që nuk e pati të vështirë të mposhtte Abedzadeh me një të majtë të ëmbël.
Tanimë Sadiku ka kapur kuotën e tetë golave në La Liga 2 në Spanjë, teksa ka luajtur 1300 minuta në kampionat, me një mesatare prej 180 minutash për gol. Cartagena me 44 pikë është në vendin e tetë, vetëm gjashtë pikë më pak se zona e promovimit. Kujtojmë se La Ligan 2 sa i takon golashënuesve e kryeson Myrto Uzuni i Granadës me 18 gola.