Supersfida e javës së 9 të Superligës mes Elbasanit dhe Partizanit u mbyll pa fitues dhe me shifrat 1-1. Të kuqtë realizuan të parët me Zekën, ndërsa vendasit barazuan me Ze Gomesh, por në minutat e fundit tifozët e Elbasanit u tërbuan pas një goli të anuluar, si rrjedhojë e një dyluftimi mes mbrojtësit dhe sulmuesit. Kaq mjaftoi që disa ultras të tentonin të hynin në fushë, por që gjithsesi nu kia dolën.
“Goli ishte i rregullt, e kam parë disa herë. Ishte një duel normal mes një sulmuesi dhe një mbrojtësi. Patëm edhe një penallti që nuk u pa në VAR. Megjithatë me skuadrën jam i kënaqur sidomos për reagimin pasi pësuam golin,”-u shpreh Roberto Bordin, trajner i Elbasanit.
“Një atmosferë fantastike në Elbasan për ndeshjen. E kisha dëgjuar më herët nga kombëtarja e Serbisë që tifozët ketu janë te zjarrtë, por sot e vërtetova. Elbasani në të njejtën kohë ka një ekip shumë kualitativ dhe jam i lumtur për pikën në transfertë edhe pse kemi patur më shume raste,”-tha Aleksandr Veselinovic, trajner i Partizanit.
Pika e fituar gjithsesi i mjaftoi Partizanit që të ruante kreun edhe pas javës së 9 të Superligës, me 1 pikë më shumë se Egnatia që të shtunën barazoi 0-0 me Teutën. Në sfidën tjetër të së dielës Skënderbeu la pas momentin e vështirë duke fituar 0-1 duelin e mbijetesës me Bylisin, që vijon i fundit me 5 pikë.
Më herët Tirana barazoi 0-0 kundër Dinamos, ndërsa Laçi mori një fitore shprese 3-1 me përmbysje kundër Vllaznisë. Këto sfida mbyllën edhe fazën e parë të Superligës, që përbëhet nga 4 të tilla dhe 36 javë kampionat në total.