Anglia është fituese e kampionatit evropian të 21-vjeçarëve. Tre luanët e vegjël mposhtën në finalen Sllovake 3-2 Gjermaninë, që në formacionin titullarë kishte dy lojtarë me origjinë shqiptare Brajan Grudën dhe Nelson Weiper.
Pjesa e parë foli totalisht për anglezët, të cilët pasi zhbllokuan me Elliot dyfishuan shumë shpejt me Hutchinson. Në vijim tre luanët patën edhe raste të tjera të arta, por nuk e theluan avantazhin. Në fundin e pjesës së parë gjermanët do të shkurtonin diferencat me Weiper, i cili realizoi me kokë për të ringjallur shpresat.
Goli i sulmuesit 20-vjeçar, qëpak ditë më parë tha se kishte mësuar të fliste disa fjalë shqip, u pasua në pjesën e dytë nga Nebel. Rezultati 2-2 mbeti i pandryshuar dhe finalja shkoi në shtesë, aty ku Anglia do tregohej më e saktë.
Rowe në minutën e 92 realizoi golin që do ti jepte trofeun 3 luanëve. Ky ishte evropiani i dytë radhazi për Anglinë, pasi dy vite më parë të besuarit e Carsleyt kishin bërë të njëjtën gjë në Rumani dhe Gjeorgji. Evropiani i ardhshëm për 21-vjeçarët, në 2027, do të organizohet nga Shqipëria dhe Serbia.
Komente
