Ujërat e paqta të liqenit të Shkodrës “u trazuan” nga prania e gondolave veneciane, të cilat i shtuan ngjyrën dhe hijeshinë peizazhit të mrekullueshëm të kësaj zone turistike. Një grup i ardhur nga Venecia, të pasionuar pas udhëtimeve të natyrës dhe në kuadër të promovimit të udhëtimeve me bazë ekologjike zgjodhën liqenin e Shkodrës për ta përshkuar me anijet e tyre tipike veneciane.
Lundrimi me gondola i italianëve në liqenin e Shkodrës u ndoq me interes edhe nga qytetarët shkodranë.
Rrugëtimi do të vijojë për disa ditë me radhë me destinacion Malin e Zi e pikërisht një prej vendburimeve të këtij liqeni siç është Rijeka Crnjevica për t’u kthyer më pas sërish në Shkodër.