Ekonomi

Gonxhja: Bizneset të deklarojnë pagat! Informaliteti garanton ca cash më shumë, por shndërrohet në gjëmë nesër

5 Shkurt, 09:37| Përditesimi: 5 Shkurt, 10:01

  • Share

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja në një konferencë për reformën në sistemin e pensioneve në Shqipëri, u ndal edhe tek informaliteti i pagave. Gonxhja tha se informaliteti garanton ca para cash më shumë, por shndërrohet në një gjëmë nesër. Ministri u shpreh se biznesi duhet të rrisë dhe të deklarojë plotësisht pagat.

Fjala e plotë e Ministrit të Ekonomisë

Sot, ne vërtetë jemi mbledhur për pensionet, duke provuar angazhimin tonë institucional në lidhje me këtë prioritet absolut, por ama tërësisht të vetëdijshëm se kjo është një sfidë që lidhet me reformimin e tregut të punës, me luftën ndaj informalitetit të çdo forme, me mentalitetin tonë, me lindshmërinë e ulët, me kushtet dhe kostot e jetesës, me aksesin e biznesit në financë dhe investimet, me migracionin, me inovacionin dhe konkurrueshmërinë, me edukimin profesional, me teknologjinë dhe modernizimin e shërbimeve, e deri te integrimi kulturor e kohezioni social - pra me rimodelimin dhe riinxhenierimin e ekonomisë sonë! Reforma e skemës apo e sistemit të pensioneve të një vendi, kërkon përgjegjësimin e tërë hallkave të shtetit, ekspertëve dhe mbarë shoqërisë.

Në vitin 2014, edhe me asistencën e Bankës Botërore, kjo qeveri ndërmori reformën më të thellë dhe më domethënëse të pensioneve dhe ndonëse sot ne jemi të ndërgjegjshëm se suksesi i jashtëzakonshëm i saj nuk mundej dot të kënaqte çdo pensionist, duhet të jemi të sigurt se pa atë reformë situata e pensioneve do të kishte shkuar shumë shumë më keq. 
Në vitin 2013, skema e pensioneve kishte vetëm 561,169 kontribues dhe edhe mes tyre informaliteti ishte jashtë mase i lartë. Të ardhurat nga kontributet ishin vetëm 4.7% e PBB dhe defiçiti i skemës ishte 1.35% e PBB. Sa i përket masës së pensionit, ajo mbahej ekstremisht e ulët nga dy tavanet që aplikoheshin: i pari, që pensioni maksimal s’mund të ishte më i lartë se dyfishi i pensionit bazë dhe i dyti që pensioni s’mund të ishte më i lartë se 75% e pagës neto të 3 viteve me pagën më të ulët në 10 vitet e fundit - dhe përfituesi merrte atë që dilte më i ulëti ndër këto 2 tavane. 

Sot, falë meritës kryesore të reformës së vitit 2014, që i dha fund demotivimit dhe humbjes së interesit për të kontribuuar, si edhe falë luftës sistematike antiinformalitet, informatizimit dhe digjitalizimit, punës për shtetin ligjor dhe ritmit pozitiv të zhvillimit ekonomik në vend, numri i kontribuesve është rritur me 47.3% duke arritur në 826,928 kontribues.

Të ardhurat nga kontributet janë rritur me 43.1%, duke arritur në 6.73% e PBB dhe deficiti është reduktuar me 59% duke arritur në 0.63% e PBB. 
Shqipëria është sot në momentin më të mirë ekonomik dhe reputativ që pas rënies së komunizmit. Vendi është më pranë se kurrë integrimit në BE dhe përparimi i viteve të fundit, i nxitur nga boom-i i turizmit dhe i ndërtimit, po e shndërrojnë Shqipërinë në një vend tërheqës, lider rajonal.

Ky momentum i rritjes dhe fuqizimit ekonomik dhe shoqëror përmes të cilit po kalon Shqipëria duhet të shërbejë si një moment reflektimi, jo vetëm për maxhorancën qeverisëse, por për gjithë shoqërinë, që ta udhëheqim transformimin ekonomik drejt një modeli nga i cili përfitojnë të gjithë, me fokus të veçantë tek shtresat në nevojë dhe pensionistët. 

E megjithatë, sot jemi këtu për të diskutuar sërish për pensionet sepse na shqetëson mjaftueshmëria e tyre. Jemi të ndërgjegjshëm edhe për shkaqet e kësaj mos mjaftueshmërie. Nga njëra anë, kemi pensionistët e dalë në pension para reformës së vitit 2014, të cilët vuajnë efektet e skemës pararendëse, ndërsa nga ana tjetër kemi historitë kontributive individuale, me boshllëqe të shkaktuara nga papunësia e informaliteti, në vitet e epokës më të egër të tranzicionit, çka bën që të kemi ende breza që dalin sot në pension me barrën negative të Shqipërisë së viteve 1990 – 2013. 

Përpjekja e deritanishme për ta adresuar mosmjaftueshmërinë e të ardhurave për pensionistët me bonuse e transferta të tjera, ku vitin që shkoi akorduam edhe bonusin më të lartë të dhënë ndonjëherë dhe sivjet siguruam edhe bonusin e ri të pranverës, duhet të  një zgjidhje afat-gjatë dhe në afat-gjatë nuk është as e qëndrueshme. 

Ndaj edhe dua të rikthehem aty ku e nisa, pyetjet  mund të jenë për pensionet, por përgjigjet janë për ekonominë në tërësi. Patjetër që mund ta reformojmë sistemin aktual të pensioneve, të forcojmë individualitetin e të zgjerojmë solidaritetin, por sërish do jemi duke diskutuar probleme pamjaftueshmërie nëse nuk do të rrisim produktivitetin e ekonomisë tonë. Duhet të ndërgjegjësohemi se informaliteti garanton ca cash më shumë sot por shndërrohet në një gjëmë nesër kur të plakemi. Biznesi që ankohet për taksat, duhet të kuptojë që ndërsa shteti shqiptar vjel nga taksat sa 27% të PBB, vendet e rajonit ka vite që janë mbi 30-35% e PBB.  

Nëse ne nuk rrisim produktivitetin, nëse nuk reduktojmë informalitetin e nëse nuk rrisim të ardhurat në buxhetin e shtetit përmes zgjerimit të bazës taksapaguese, nëse nuk rrisim vendet e punës me paga cilësore, gjithmonë do kemi njerëz që nuk kanë mjaftueshëm, njerëz që vuajnë sot dhe nesër. 

Individët duhet të bëjnë të vetën, duke mos u struktur në një punë të “sigurt” me pagë të ulët, ku shpesh “shtyjmë kohën” e ku vendet e punës shtohen për qoka, me paga asistence, por të punojnë në privat me një pagë dyfish më të lartë. Shteti, Bashkitë duhet të optimizojnë burimet njerëzore në sektorin publik duke mundësuar rritje pagash e reduktim parazitësh.

Biznesi nga ana tjetër, që sot ka filluar edhe të ankohet për mungesë të fuqisë puntore, duhet të ndërgjegjësohet, t’u ofrojë punonjësve edhe skema suplementare pensioni dhe mbështetjeje për jetën pas punës, njësoj si bizneset në perëndim, por edhe të rrisë e deklarojë plotësisht pagat. 

Ne, si qeveri, duhet të konceptojmë e implementojmë një sërë politikash në ndihmë të familjeve të reja. Ne si MEKI, por edhe disa nga bashkitë kryesore në vend, po implentojmë një sërë programesh të strehimit social ndërkohë që jemi në proces të një rishikimi tërësor të tyre për të zgjeruar numrin e përfituesve, por edhe për të adresuar jo vetëm blerjen e shtëpisë së parë, por edhe rigjenerimin dhe zgjerimin e apartamentit ekzistues.


Lajmi kryesor:

Banka Botërore: Informaliteti i lartë 'minon' pensionet! Rama: Skema ishte në kolaps, vijojmë me bonuse deri në reformën e re! Opozita premtime imagjinare


Xh.K/r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?