Një gjykatë apeli në Argjentinë ka dënuar kompaninë Google me një gjobë prej rreth 12,500 dollarësh, pasi publikoi foton e një burri nudo të fiksuar nga makinat e shërbimit Street View, duke shkelur rëndë privatësinë dhe dinjitetin e tij.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2017 në një qytet të vogël argjentinas, kur një kamerë e Google Street fotografoi një polic lokal në oborrin e shtëpisë së tij, lakuriq, pas një muri rreth dy metra të lartë.
Pamjet u shpërndanë më pas në rrjetet sociale dhe u transmetuan nga mediat vendase, së bashku me emrin e rrugës dhe numrin e shtëpisë, duke e bërë të lehtë identifikimin e tij.
Polici pretendoi se kjo ndërhyrje e padrejtë në jetën e tij private i kishte shkaktuar turpërim dhe tallje nga kolegët dhe fqinjët.
Një gjykatë më parë kishte hedhur poshtë padinë e tij, duke argumentuar se ishte vetë fajtori që kishte dalë nudo në oborrin e shtëpisë së tij.
Nga ana tjetër, Google, mbrojti veten duke thënë se muri nuk ishte aq i lartë sa të pengonte pamjen.
Megjithatë, gjykata e apelit vendosi ndryshe, duke theksuar se ishte shkelur rëndë dinjiteti i individit.
“Bëhet fjalë për një imazh të marrë jo në një hapësirë publike, por brenda kufijve të shtëpisë së dikujt, pas një gardhi më të lartë se një person mesatar. Kjo përbën një ndërhyrje të qartë në privatësi. Nuk ka njeri që dëshiron të shfaqet para botës ashtu siç ka ardhur në jetë”, shkruhet në vendimin e gjyqtarëve.
Gjykata përmendi faktin që Google zakonisht i mjegullon fytyrat dhe targat e makinave në Street View, si dëshmi që kompania është e vetëdijshme për detyrimin e saj për të mbrojtur privatësinë e të tjerëve.
Por në këtë rast, nuk bëhej fjalë për fytyrën e mjegulluar, por për pamjen komplet nudo, një imazh që duhej të ishte parandaluar.
Komente
