Gabriel Escobar

GPS nga SHBA për partitë shqiptare se nga e luajnë bishtin

13 Prill 2023, 08:55| Përditesimi: 13 Prill 2023, 08:56

  • Share

Nuk mund të quhej e plotë panorama parazgjedhore pa një intervenim miqësor ndërkombëtar. Ka ndodhur gjithmonë më parë sa herë shkohej për votim, dhe nuk iu shmangëm dot kontrollit prindëror edhe kësaj rradhe.

Jemi ende në fazën e adoleshencës për të qenë të aftë të luajtur më maturisht sipas rregullave të demokracisë. Ardhja e Escobar në Tiranë për të takuar drejtuesit e partive kryesore politike pikërisht në nisje të fushatës elektorale, është tregues sërish i vëmendjes së ecurisë së demokracisë në Shqipëri.

Në një kontekst më të gjerë, pra në rrafsh rajonal, vëmendja është e ndikuar dhe nga të tjerë faktorë gjeostrategjikë, dhe në një kohë kur çdo zgjedhje, si rasti i fundit në Mal të Zi, ku mund të vihen në dyshim ekuilibrat rajonalë, padyshim që shihet me një interes të shtuar nga SHBA dhe partnerët ndërkombëtarë. Ndaj, edhe pse në Shqipëri, zgjedhjet janë vendore dhe nuk mund të ndikojnë në prishje ekuilibrash, duket se Escobar ka vendosur GPS për partitë tona politike, sesa properëndimore janë, sa në unison janë me politikat e aleatëve në një botë të polarizuar kundrejt interesave të fuqive të tjera si Rusia a më tej.

Aspekti i forcimit të demokracisë në vend dhe zgjedhjet korrekte janë elementi i dytë i takimeve të zyrtarit të lartë të Departamentit të Shtetit. Në fund të fundit, proceset zgjedhore kanë qenë thembra e Akilit në raportet e ndryshme të organizatave dhe kancelarive perëndimore, si një e metë mbi të cilën trysnohet vazhdimisht që të përmirësohet.

Jo larg në kohë, opozita vendosi të abandonojë zgjedhjet duke synuar trysninë e rrugës në vend të garës elektorale, ndaj dhe vëmendja që kjo të mos përsëritet në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në BE, është mëse e kuptueshme.

Ndaj dhe Escobar në të gjitha takimet e tij vuri theksin e zbatimit të rekomandimeve të ODHIR për zgjedhjet si një mënyrë për të garantuar korrektësinë e fushatës elektorale dhe një votim që përçon vullnetin politik të qytetarëve.

Më tepër sesa takimet e të dërguarit të Departamentit të Shtetit me presidentin dhe kryeministrin Rama, kërshëri mediatike kishin kontaktet me përfaqësuesit e opozitës. Takimi me Alibeajn si përfaqësuesi zyrtar i PD-së, ishte heqja e çdo dileme së çdokujt se mund të shndërrohesh në faktor vetëm pse mund të vitalizosh idhtarë rreth teje me qëllimin për të influencuar fatin personal politik.

Pavarësisht situatës në të cilën po kalon PD, krizës dhe ndarjes së saj në dy pjesë, takimi i Escobar me përfaqësuesit legalë të saj, dëshmon se PD nuk duan ta humbin si aleat partinë e parë të pluralizmit në vend.

SHBA kërkojnë që me PD-në, me të cilën kanë bashkëpunar ngushtësisht si kur ka qenë në pushtet edhe në opozitë, ta ruajnë si një kontribuese të metejshme në zhvillimet demokratike të vendit. Por kurrë me një PD që mund të jetë në dorën e një të shpalluri Non Grata nga Departamenti i Shtetit këto marrëdhënie mund të kenë një të ardhme.

Ky ish një mesazh I qartë për të gjithë anëtarësinë e PD, e cial deri më tani ka qenë nën trysninë se për kandidatët e shpallur nga Berisha nuk mund të ketë rivalë pasi kështu përcahet më tej PD-ja. Në një farë mënyre, për aleatët ato vota janë të hedhura në erë, përderia përfaqësojnë një personazh të padëshiruar e të ezauruar tashmë politikisht.

Në këtë logjikë, në takimin me Metën e PL, nuk mund të besohet se Escobar i ka bërë të fala për Berishën, të cilin ish presidenti e ka partnerin kryesor në koalicionin zgjedhor.

Në 45 minutat e takimit të tyre, padyshim që një pjesë e bisedës ka shkuar dhe tek koalicioni pa formë që është ngjizur, ku duket paradoksale që kandidatë të zgjedhur me vota të tjetër kujt të duan për përfaqësim vulën e PL-së. Por mbi të gjitha, për partnerët ndërmobëtarë paraqet interes e ardhmja e këtij formacioni në dukje pa kokë, dhe si do të operojë pas zgjedhjeve ky konglomerat.

Do të kemi një ngjizje drejt krijimit të një partie të re apo secili do të vijojë në rrugën e vet. Vetë kriza në të cilën ndodhet PD dhe opozita në përgjithësi hapin disa alternativa krejt të ndryshme nga njëra tjetra, alternativa që sidoqoftë, jo gjithmonë mund të jenë në kohezion me interesat e përbashkëta të vendit dhe të partnerëve ndërkombëtarë.

Në të gjitha rtaste ky ish testimi i parë për mënyrën se si do zhvillohen ngjarjet dhe si do të orientohen segmented e opozitës në të ardhmen. Çka është e sigurtë, duket se vëmendja ndërkombëtare është e dukshme dhe se monitorimi vijon.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?