Prokuroria e posaçme ka dërguar në gjykatën e lartë çështjen për urdhrin e ministrit të drejtësisë për izolimin e Klement Çalës në sistemin 41 BIS. Një ditë pas publikimit të lajmit në Report tv, avokatja e të dënuarit, sqaroi se megjithëse në sistemin e gjykatës së lartë, kërkues rezulton klienti i saj pasi ai kishte inicuar çështjen në Gjykatën e Shkallës së parë, por rekursi nuk është bërë prej tyre por prej prokurorisë. Kjo pasi gjykata e shkallës së parë dhe apeli i posaçëm, e kanë rrëzuar urdhrin dhe kërkesën e prokurorisë për izolimin e të dënuarit për grabitjen e 4.6 milionë eurove në pistën e Rinasit në prill të vitit 2019. Urdhri i dhënë në maj të vitit 2022 nga ministri i drejtësisë për disa të dënuar u rrëzua në rastin e Klement Çalës në gjykatën e shkallës së parë në tetor të atij viti ndërsa ky vendim u la në fuqi edhe në gjykatën e apelit.
SPAK apeloi vendimin por sërish Apeli I GJKKO-së nuk e pranoi. Beteja e fundit e SPAK është në Gjykatën e Lartë ku ka bërë rekurs.
Ky regjim i krijuar vitet e fundit në sistemin e burgjeve në Shqipëri, parashikon izolimin e personave të dënuar për krime të rënda dhe krim të organizuar me qëllim shkëputjen e tyre nga çdo mundësi bashkëpunimi apo mbajtje lidhje me personat jashtë.
Klement Çala është dënuar me 20 vjet heqje lirie për akuzën e pjesëmarrjes në grabitjen e 4.6 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në prill 2019 në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal ku bënte pjesë edhe Admir Murataj.
Çfarë është regjimi i posaçëm '41-bis'
Ligji për regjimin e posaçëm njohur si "41-bis" i përshtatur nga Italia ka hyrë në fuqi prej Janar 2019 por zbatimi i tij është vonuar për mungesë të SPAK që u ngrit vetëm në dhjetor 2019. Regjimi "41-bis" është qëndrimi prej një periudhë deri në një vit në një dhomë të monitoruar me kamera 24 orë, pa takime pa kontakt me botën jashtë, pa të drejtë të televizorit në dhomë.