Persona te maskuar dhe me armë kanë hyrë në shtëpinë e Alfred Gjermenit, duke marrë një shumë të konsiderueshme parash dhe disa bizhuteri. Ngjarja ka ndodhur në fshatin “Fier i Ri” të bashkisë së Lushnjes, pas mesnate.
37-vjeçari, Alfred Gjermeni, i cili nuk pranoi të flasë për mediat, u ka thënë uniformave blu se është përleshur me grabitësit në banesën e tij. Ndërsa policia tha se ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po ushtron kontrolle për gjetjen e 5 personave që dyshohet se morën pjesë në grabitje.
Ende nuk ka të dhëna për shumën e parave që arritën të marrin në banesë, ndërsa po vijon marrja në pyetje e familjarëve. Siç shihet dhe në pamje, 4 anëtarët e familjes Gjermeni jetojnë në katin e dytë të objektit, ndërsa në katin e parë kanë biznesin e tyre, farmaci bujqësore.
Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe fiksimin e çdo prove materiale që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.