Tiranë- Ka dështuar seanca për leximin e pretencës nga SPAK ndaj një prej personave më të shumëkërkuar të listës së Policisë së Shtetit dhe Drejtësisë, Talo Çela, lidhur me grabitjen e 4,6 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit, ngjarje e 9 Prillit 2019.
Shkak u bë mungesa e gjyqtares Atalanta Zeqiraj, për të cilën gjykata njoftoi palët se kishte probleme shëndetësore, teksa nuk u caktua datë për seancën e radhës, pasi mund të caktohet një gjyqtar tjetër për zëvendësimin e saj.
Gazetarja e Report TV, Keti Banushi, raporton se në seancën e kësaj të marte (1 Tetor), SPAK do të vinte me konkluzione dhe paraqitjen e pretencës, si dhe njohjen e gjykatës me disa prova të reja, që kanë dalë nga transkriptimet e bisedave në Sky Ecc.
Për ngjarjen e grabitjes spektakolare të 4.6 milionë euro në prill të vitit 2019, Gjykata e Posaçme ka dënuar në Tetor 2023, me 122 vite burgim, për 7 të pandehurit e grupit kriminal.
Numri dy i bandës, Klement Çala do të qëndrojë pas hekurave për 20 vite, ndërsa për gjashtë të tjerët të arrestuar për grabitjen: Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Çela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, trupa gjykuese dha nga 17 vite burg për secilin.
Dënimet janë më të ulëta se ato të pretenduara nga Prokuroria e Posaçme, e cila për Klement Çalën kërkoi 24 vite burg, ndërsa për gjashtë të pandehurit e tjerë nga 19 vite.
Ndërsa i akuzuari si pjesë e bandës është edhe Talo Çela, por gjykimi për të vijon të jetë i ndarë, sepse ai është ende në arrati, duke u zhvilluar në mungesë. Një prej të dyshuarve të ngjarjes, Admirim Murataj, u vra pak minuta pas grabitjes, gjatë ndjekjes policore, afër fshatit Tapizë, kurse të tjerët u arratisën.