Grabitja e 4.6 mln eurove në Rinas, SPAK kërkon 19 vjet burg për Talo Çelën

4 Nëntor, 13:58| Përditesimi: 4 Nëntor, 18:45

  • Share

5 vite nga megagrabitja e 4.6 milion eurove nga aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit, Rinasi, Prokuroria e Posaçme ka dhënë konkluzionet  përfundimtarë për një nga të akuzuarit si pjesmarrës në ngjarje, Talo Çelën i cili rezulton I shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në konkluzionet përfundimtare prokurori i çështjes Klodian Braho kërkoi dënimin e tij me 19 vite burgim. SPAK bëri pjesë të fashikullit hetimor edhe bisedat e Talo Çelës në SKY ECC me anëtarët e tjerë të grupit.

Në SKY Talo Çela shprehte shqetësim se mund të gjendeshin prova për përfshirjen e tij në supergrabitjen dhe se në rast se i del emri do arratisej në Brazil ku do të ndërronte identitet. Por avokati i tij ka kundërshtuar veprimin e prokurorisë së posaçme, me argumentin se ato mund të jenë vetëm indicie dhe jo prova.

Pasi dëgjoi Spak, trupi gjykues i përbërë nga Erjon Bani, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri caktuan  datën 21 nëntor ora 10.00,  për tu zhvilluar seanca e radhës ku do të dëgjohet mbrojtja dhe do të shpallet vendimi lidhur me Çelën, i njohur si një nga personat më të kërkuar në Shqipëri.

Ai u shpall në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Plumbi i Artë”, që çoi në kapjen e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhajt si dhe të disa personave të tjerë, pjesë e botës së krimit. Ishin dëshmitë e këtyre të fundit që zbardhen një sërë ngjarjesh kriminale, ku ishte i përfshirë dhe Çela.

Për grabitjen e vitit  2019, GJKKO dënoi në tetor të vitit të 2022 me 122 vite burg 7 të pandehurit e grupit kriminal. Klement Çala u dënua me 20 vite, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me  17 vite burg. Të dënuarit po e vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

Ngjarja ndodhi në 9 prill e vitit 2019, ku në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, vodhën një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje, Admir Murataj.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?