Grabitja e Rinasit, seanca ndaj Talo Çelës do të mbahet më 7 qershor! Avokati: Nuk mori pjesë se kishte gjurin të dëmtuar, kam rezonancën e tij magnetike

23 Maj 2022, 11:49| Përditesimi: 23 Maj 2022, 13:52

  • Share

Me 7 qershor 2022 do të mbahet seanca e radhës ndaj Talo Çelës për grabitjen në Rinas, ku shuma e marrë ishte 4.6 milion euro. Avokati i Talo Çelës kërkon kohë për të përgatitur kërkesat për ballafaqim me Alkond Bengasin dhe vëllezërit Klement dhe Eldi Çala.

Sipas avokatit, Talo Çela, njeriu më i kërkuar i momentit, ka qenë në pamundësi të merrte pjesë në atë grabitje të parave të tre bankave pasi ka patur gjurin e dëmtuar dhe po përgatitej për ndërhyrje kirurgjikale. Për këtë gjendje shëndetësore, avokati pretendon se ka rezonancë magnetike të gjurit që bëri Talo Çela. Ndër të tjera thotë se nuk ka asnjë kontakt me Talon dhe prokurën e ka marrë nga vëllai i tij, Bujar Çela. 

"Nuk kam asnjë kontakt, po ta dija do ta kontaktoja, por nuk kam. Prokurën ma ka përcaktuar vëllai i tij që aktualisht nuk jeton më. Jam zgjedhur me dëshirën e vëllait të Talo Çelës. Me Talo Çelën jo vetëm që se kam takuar, por s’kam asnjë telefonatë", tha avokati.

Ndër të tjera tha se ka prova që ditën e grabitjes, Talo Çela ka qenë tek berberi.

"Këto janë çështje që do gjykohen, do merren prova dhe më pas do  vendoset. Sipas meje nuk ka qenë në grabitje, nuk ka prova që ka qenë në grabitje, në atë datë ka prova se ka qenë te Liqeni i Thatë. E ka thënë Bengasi. Berberin e kërkova sepse ai pretendon se ditën e ngjarjes ka qenë duke u qethur atje”, u shpreh avokati.

Në 9 prill 2019 u grabit avioni me para në Aeroportin e Rinasit, ku gjatë ndjekjes u vra nga policia Admir Murataj, që u konsiderua nga Prokuroria si 'koka' e grabitjes. Me anë të një furgoni me mbishkrimin “Hetimi tatimor”, Murataj, bashke me të paktën 3 persona të tjerë, morën në momentin që po ngarkoheshin në avion 7 thasë me para. 

Dy vëllezërit nga Elbasani Klement dhe Eldi Çala u arrestuan në mars 2020 në një vilë në Qerret, të dyshuar si autorë dhe drejtues të grupit të grabitësve të blindave me para në Rinas.  Klement Çala ishte në kërkim si person i dyshuar për të gjitha grabitjet në aksin Tiranë-Kashar-Rinas.

Ndër të tjera, Talo Çela është një ndër të kërkuarit në operacionin "Plumbi i artë" pasi Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj nga qelia zbërthyen vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011 deri në 2022-shin. Talo Cela u lokalizua me anë të përgjimeve, por nuk u arrit të arrestohet.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?