Është shtyrë seanca gjyqësore për Oltian Veselin dhe Elton Piklin dy të arrestuarit, që akuzohen për përfshirje në grabitjen e 6 milion eurove në aeroportin e Rinasit më 9 prill të këtij viti. Ndërkohë pak ditë më parë Prokuroria ka shtyrë me 3 muaj hetimet për çështjen e grabitjes.
Arsyeja për këtë shtyrje të seancës është bërë mungesa e avokatëve për dy të dyshuarit. Në këtë seance Prokuroria i kërkonte Gjykatës kryerjen e analizave të ADN për të vërtetuar nëse përputheshin shenjat e gishtërinjve me gjurmët e gjetura në paratë e gjetura deri me tani.
Ditën e sotme të tjera lëvizje ka patur në lidhje me këtë ngjarje. Në banesat e dy të akuzuarve Elton Pikli dhe Renaldo Sulës të dy të arrestuar për grabitjen e 9 prillit, janë gjetur një sasi e konsiderueshme parash që dyshohet se janë ato që u vodhën në aeroport.
Për grabitjen e armatosur të ndodhur me 9 prill të këtij viti janë vënë prapa hekurave 7 persona Ata janë Ragio Hajdini ( i cilësuari si daja nga Kosova), Elton Pikli, Renaldo Sulaj, Oltion Veseli, Saimir Cela, Alkond Bengasi dhe Hasan Kanaci ndërsa i vrarë nga shkëmbimi i zjarrit me policinë ditën e ngjarjes mbeti organizatori i grabitjes Admir Murataj. Në kërkim janë dy vëllezërit Klemend e Eldi Cala si dhe bashkëpunëtori i tyre Talo Cela për të cilët policia ka vënë në dispozicion shpërblim prej 10 mijë eurosh për cilindo që jep informacion që çon në gjetjen e tyre.
Deri më tani janë sekuestruar 300 mijë euro, nga këto 100 mijë euro në banesën e agjentit të cargos në Aeroportin "Nënë Tereza", Hasan Kanaçi, të konvertuara në kartëmonedha të ndryshme.