Policia e Beratit ka reaguar për grabitjen e drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizimeve, ku grabitësit kanë marrë nga kasaforta 2 milion e 200 mijë lekë (të vjetra).
Policia thotë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa thekson se nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk janë konstatuar dëmtime të dyerve dhe dritareve, por vetëm të kasafortës ku ndodhej shuma e parave.
“Rreth orës 08:00, është marrë njoftim se në zyrat e Drejtorisë së Ujësjellësit të Kuçovës, është vjedhur një shumë parash.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët në drejtimin e Prokurorisë së Beratit, po kryejnë të gjitha veprimet hetimore, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin/ët e rastit.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes nuk janë konstatuar dëmtime të dyerve dhe dritareve, por vetëm të kasafortës ku ndodhej shuma e parave.
Vijojnë hetimet për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore, rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar dhe arrestuar autorin/ët.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës të Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, njofton Policia.
Lajmi kryesor:
Grabitet drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve në Berat! Hajdutët shqyejnë kasafortën dhe marrin 2 mln lekë të vjetra
SI.E.//ReportTv.al