Grabitja/ Siguria e aeroportit nuk njoftoi furgonin e policisë që gjendej në pistë

12 Prill 2019, 07:14| Përditesimi: 12 Prill 2019, 09:00

  • Share

Përmasa skandaloze shkeljet e sigurisë nga kompania koncesionare e aeroportit “Nënë Tereza” gjatë grabitjes së ditës së martë. “Shqiptarja.com” mëson se Policia e Shtetit është njoftuar nga TIA me vonesë 5 minuta e 21 sekonda nga momenti i cenimit të rrethimit prej grabitësve. Jo vetëm kaq por ajo qëështë më e rëndë është fakti se gjatë kohës që po zhvillohej grabitja furgoni I policisë ishte në pistën e Rinasit, por nuk u njoftua nga stafi I ICTS nënkontraktorit që përgjigjet për sigurinë.Kështu TIA dhe ICTS nuk kanë njoftuar në kohë Policinë e Shtetit. Kjo e përsëritur edhe nga rasti i ngjarjes së vitit 2016, ku gjithashtu njoftimet kanë ndodhur me vonesë.

Nga ajo që mëson “Shqiptarja.com” operatorët e TIA kanë njoftuar shefin e komisariatit Rinas në orën 15:02’51”, pra plot 5 minuta e 21 sekonda nga momenti i cenimit të rrethimit që ndodhi në 14:57’30”, pra faktikisht kur autorët kishin dalë nga perimetri. ICTS ka njoftuar Sallën Operative të Policisë në orën 15:04’00”, pra plot 6 minuta e 30 sekonda nga cenimi i rrethimit (14:57’30”) dhe rreth 2 minuta me vonesë nga largimi i autorëve nga perimetri. TIA ka njoftuar AAC për ngjarjen në orën 15:30, rreth 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja. Por më e rëndë akoma është fakti se punonjësit e ICTS nuk kanë njoftuar furgonin e Policisë së Shtetit që gjendej në pistë në momentin e ngjarjes. Madje me pas kur një patrullë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ka ndërhyrë menjëherë sapo ka marë njoftimin nga “ICTS Albania” dhe komisariati i Rinasit, por është penguar nga vetë stafi i “ICTS Albania”, pasi dera ku është kërkuar të futej policia, nuk hapej.

5 milionë euro
Shuma e saktë që është grabitur nga grupi i Admir Murataj në aeroportin e Rinasit, është diku tek 5 milionë euro. Kjo shifër është konfirmuar për Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga tre bankat e nivelit të dytë që veprojnë në Shqipëri. Ndërkohë burime pranë akuzës thanë për “Shqiptarja.com” se shumë shpejt për këtë ngjarje do ketë arrestime, të operatorëve të sallës së monitorimit të kamerave dhe drejtuesve të sigurisë së shoqërisë “ICST Albania”. Sipas akuzës këta persona kanë pasur për detyrë të monitoronin kamerat dhe të njoftonin çdo hyrje të paligjshme në pistë. Por një gjë e tillë nuk e kanë bërë kur kamerat kanë transmetuar filmimin për afrimin e furgonit të grabitësve, hapjen e derës, heqjen e betonit dhe këputjen e kangjave. Sipas prokurorisë nëse do ishte raportuar prezenca e grabitësve në kohë, ka shumë gjasa që grabitja të ishte parandaluar.

Pamjet filmike, ja si hynë grabitësit
Në mesin e ditës, në syrin e kamerave, 5 grabitës kanë mundur të thyejnë sigurinë në aeroportin e “kursyer” në investimet për tu blinduar me siguri. Vijnë me furgon të bardhë me mbishkrimin "Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve" dhe "Hetimi Tatimor", i cili ecën me shpejtësi. Përballe me një nga dyert hyrëse të aeroportit, e cila është shumë pranë me rrugën kryesore të Rinasit. Grabitësit e rreth 5 milionë eurove, zgjodhën portën prej nga hynë shërbimi zjarrfikës për tu futur në aeroport.Një derë me tela para së cilës ishin vendosur dy barriera betoni.Në një video që “Syri.net” ka publikuar shihen grabitësit teksa zbresin nga furgoni, nxjerrin kavo dhe tërheqin njërën nga barrierat e betonit. Këtë punë e bën Admir Murataj, i cili është me këmishë bojqielli dhe me maskën e tij silikon si tullac.Një tjetër,me kapuç në kokë dhe veshje kamuflazh me një levë të vetme hap portën.

Admir Murataj gjen edhe kohën të heqë kavon nga barriera, dhe të futet bashkë me të në furgon.Video përmbyllet këtu, ndërsa më tej,grabitësit, arrijnë të futen deri në pistën e avionit të linjës Tiranë-Vjenë, mbushur me pasagjerë, tek i cili makinat e blinduara të disa kompanive private kishin nisur të fusnin në pjesën e bagazheve thasët me para të bankave të nivelit të dytë që do të dërgoheshin në Vjenë. Aty përmes disa fotove që Shqiptarja.com i publikoi që ditën e grabitjes, më 9 prill, shihet sërish Admir Murataj që ndryshe nga sa u pa në videon e hyrjes në aeroport, shfaqet me një jelek të njëjtë si të forcave komando.Më tej pasi kanë marrë thasët me para, në një vlerë që mendohet të jetë 5 milionë euro, por ende shifër jo zyrtare, autorët janë larguar sërish me furgon, dhe këtë radhë kanë zgjedhur një tjetër portë, jo atë që hynë. Për nga siguria, është e njëjtë. Hapet mjaft kollaj. Grabitësit shtyjnë me këmbë portën, teksa 4 prej tyre kanë dalë jashtë furgonit.

Ajo që bie në sy në një video të daljes nga aeroporti që publikon Gazeta Shqiptare, është fakti se për herë të parë del numri i saktë i grabitësve, 5. Tre persona shfaqen tek porta duke e shtyrë për ta hapur, një i katërt i armatosur rri jashtë furgonit shumë pranë derës, ndërsa në një moment kur dera hapet furgoni lëviz menjëherë ende pa hipur të gjithë çka lë të shihet qartë se shoferi është grabitësi i pestë.Vetëm pasi kanë dalë nga aeroporti në furgonin e mbushur me armatime të rënda dhe thasët me para, grabitësve u është vënë në ndjekje një patrullë e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë ku gjatë një shkëmbimi zjarri rreth 2 km larg aeroportit, mbeti i vrarë Admir Murataj.Siç u pa edhe në videot e hyrjes dhe daljes nga aeroporti, ai ishte i ulur pasagjer në vendin e parë, aty ku në furgon ka mbetur edhe një shenjë plumbi në xhamin e parë, që dyshohet të ketë depërtuar nga pjesa e xhamave të pasmë të furgonit gjatë shkëmbimit të zjarrit nga policia që i ndiqte.

Gabimet e sigurisë së aeroportit
o       TIA dhe ICTS nuk kanë njoftuar në kohë Policinë e Shtetit. Kjo e përsëritur edhe nga rasti i ngjarjes së vitit 2016, ku gjithashtu njoftimet kanë ndodhur me vonesë.

o       ODM i TIA ka njoftuar shefin e komisariatit Rinas në orën 15:02’51”, pra plot 5 minuta e 21 sekonda nga momenti i cenimit të rrethimit(14:57’30”), pasi në fakt autorët kishin dalë nga perimetri.
o       ICTS ka njoftuar Sallën Operative të Policisë në orën 15:04’00”, pra plot 6 minuta e 30 sekonda nga cenimi i rrethimit (14:57’30”) dhe rreth 2 minuta me vonesë nga largimi i autorëve nga perimetri.
o       TIA ka njoftuar AAC për ngjarjen në orën 15:30, rreth 30 minuta pasi ka ndodhur ngjarja.
o       ICTS ka dështuar të njoftojë furgonin e Policisë së Shtetit që gjendej në pistë në momentin e ngjarjes.
o       ICTS nuk ka lejuar FNSH të futet në pistë, pasi është konstatuar grabitja.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • tini: 12/04/2019 16:16

    Kallauzi i grabitjes eshte tek ata qe monitorojne rrethimin e aeroportit, dhe njoftuan policine kur furgoni i grabitesve kishe kryer grabitjen dhe ishte larguar

    Përgjigju
  • Pop: 12/04/2019 13:57

    Do arrestohen sepse banditet kane ndejtur 5 minuta ne piste, dhe mos shikosh nje derr furgoni qe kalon, qe ska lidhje me avionet, ska mundesi. Grabitja eshte organizuar nga brenda. Ne piste eshte e pamundur mos e vesh re qe kalon nje makine sepse 2 avione jane gjithsej dhe aeroporti eshte shume i vogel.

    Përgjigju
  • Une: 12/04/2019 08:30

    Salla ka 100 kamera,mos me shume,nuk mundet operatori ti kontrolloje te gjitha ne kohe reale,po i fusin ne burg kot.

    Përgjigju
    • Andis: 12/04/2019 13:20

      10 persona te monitorojne 100 kamera eshte mese normale. Po te me e bejme pune te hapin krahun e te thone se bejme dot.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?