Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha. Përmes një mesazhi, Ruçi thotë se Berisha ishte simbol i urtësisë dhe tolerancës, ndërsa thekson se i shërbeu Kosovës me vizion dhe integritet.
“Me dëshpërim mora lajmin për ndarjen nga jeta të personalitetit të shquar, ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha. Kolë Berisha ishte një personalitet poliedrik: mësues dhe edukator me influencë, shkrimtar i shquar, njeri i aksionit politik, luftëtar i lirisë, veprimtar i palodhur shoqëror dhe frymëzues i tolerancës e mirëkuptimit, deputet i respektuar dhe kryeparlamentar autoritar. Kolë Berisha i shërbeu Kosovës me vizionin, lidershipin dhe energjitë e tij, përndjekjen prej regjimit serb, librat dhe veprën letrare, kontributin në LDK dhe në jetën politike, mbjelljen dhe shpërndarjen e frymës së pajtimit politik e njerëzor, si deputet i palodhur dhe së fundi edhe si Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Kolë Berisha ishte simbol i urtësisë, tolerancës, përkushtimit, veprimit politik e kombëtar dhe kryeparlamentarit mendjehapur, me integritet e të matur. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim i shpreh familjes, institucioneve dhe popullit të Kosovës ngushëllimet për këtë humbje të madhe”, shprehet Ruçi.
Lajmi kryesor:
Shuhet ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kolë Berisha! Osmani: Jetën ia kushtoi lirisë së vendit! Meta: I palodhur në shërbim të çështjes kombëtare
SI.E./ReportTv.al