Dy persona nga Durrësi janë arrestuar në Gramsh, pasi u kapën duke transportuar 4 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 400-500 euro për person.
Në kuadër të operacionit të koduar "Panda" në pranga u vunë shtetasit H. H., 35 vjeç dhe R. D., 28 vjeç, të dy banues në Durrës.
"Këta shtetas u kapën nga shërbimet e Policisë, në qytetin e Gramshit, duke transportuar me mjetin e tyre, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 4 shtetas sirianë e palestinezë, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Korçë, nëpërmjet kufirit jeshil nga shtetit grek", thuhet në njoftimin e policisë.
Dy personat e arrestuar do t’i transportonin sirianët dhe palestinezët, kundrejt fitimit që varionte 400-500 euro për secilin, për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme në drejtim të Malit të Zi, me destinacion final një nga vendet e BE-së.
Rreth 4 muaj më parë në Gramsh 2 klandestinë sirianë humbën jetën, pasi makina që po i transportonte ata u rrëzua në humnerë, ndërsa 7 persona të tjerë u plagosën.
Prej disa vitesh, vendi ynë është përdorur si trnzit për emigrantët e vendeve të Lindjes së Mesme, për të shkuar drejt Bashkimit Evropian.
Pak ditë më parë Report Tv bëri një investigim ku intervistoi 5 emigrantë, duke treguar të gjithë itinerarin se si kanë mbërritur deri në vendin tonë dhe se si do e shfrytëzojnë Shqipërinë si vend tranzitë për të shkuar drejt perëndimit. Ata kishin ardhur nga Bilishti nga kufiri i gjelbër dhe se të ndihmuar nga grupet kriminale kundrejt pagesave për t'u larguar sërish drejt BE. Report Tv i filmoi ata në autostradën Elbasan-Tiranë që erdhën me mjetin e një trafikanti.