Gramsh- Konflikti mes dy familjeve përfundon me plagosjen e një 26-vjeçari, teksa Policia ka shpallur në kërkim si autorë babanë me dy djemtë e tij.
Ngjarja ka ndodhur në Gramsh, ku sherri mes palëve raportohet se ka ndodhur për motive të dobëta, por detajet mbeten ende të panjohura.
Policia vendore bëri me dije sot (26 maj) se i dyshuari i krimit është një 54-vjeçar, së bashku me dy djemtë e tij, 22 dhe 23-vjeç.
I plagosuri 26-vjeçar ka marrë dëmtime të shumta fizike në të gjithë trupin dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Puna për kapjen e 3 anëtarëve të familjes po vijon.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh shpallën në kërkim, për veprën penale “plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, shtetasit G. B., 54 vjeç, A. B., 23 vjeç dhe A. B., 22 vjeç, (babai me 2 djemtë), pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte dhe me send të fortë metalik një 26-vjeçar, duke i shkaktuar dëmtime fizike”, bëri me dije Policia e Gramshit.
Hetimet për rastin i kanë kaluar Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme.
Komente
