Gramshi, është një nga qytetet që njihet për bimën e mrekullueshme medicinale të Livandos, e cila nuk është thjesht e bukur, por ka edhe veti kurative. Një bimë e përdorur gjerësisht edhe në fushën kozmetike, livando kultivohet në njësitë administrative të Dotirës dhe Kushovës, ku janë mbjellë rreth 230 hektarë.
Bima e livandos eksportohet në 16 shtete të ndryshme duke u kthyer në një sektor të rëndësishëm ekonomik në këtë zonë.
Ashtu si edhe vitin e kaluar Bashkia e Gramshit organizoi një aktivitet nën ritmet e muzikës shqiptare. Ky aktivitet është një ndër festat që bashkia Gramshit ka në kalendarin e saj pasi këto aktivitete do të vazhdojnë dhe gjatë muajit korrik dhe gusht, ku në qendër të vëmendjes është promovimi i zonës.
“Është viti i dytë që organizon bashkia këtë aktivitet. Këtë herë nuk patën një skenë ku performuan këngëtarët, por gjithashtu patëm edhe skena të vogla ku u promovuan punime artizanale. Kjo gjë ndihmon që Gramshi të promovohet edhe më shumë. Pas kësaj do të kemi edhe aktivitete të tjera gjatë korrikut dhe gushtit”, tha kryebashkiaku Besian Ajazi.
Në kohën e komunizmit çdo banesë e kësaj zone do të mbante këtë lule në familje, pasi thuhej se nuk lejon të afrohen gjarpërinjtë, dhe insekte të ndryshme, ndërsa në ditët e sotme ata e kanë kthyer në biznes për të mbajtur familjet e tyre.
Komente
