Politikë

VIDEO- ‘Gramshi u zhbë, nga 50 mijë ka zbritur në 60 mijë’, Rama ironizon Berishën: Turp i madh të kesh një kënetë në mes të Parlamentit

5 Maj, 14:00| Përditesimi: 5 Maj, 14:38

  • Share

Kryesocialisti Edi Rama ka ironizuar sërish kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën përmes një video me buf.

Këtë herë Rama ka sjellë në vëmendje gafën që Berisha bëri gjatë takimit elektoral në Gramsh të shtunën.

Ndërsa fliste për rënien e popullsisë në Gramsh, Berisha u shpreh se ka rënë nga 50 mijë në 60 mijë.

“Ky është një rreth me potencial të jashtëzakonshëm, sidomos në fruti-kulturë dhe është krim ta ç’bësh Gramshin, nga 50 mijë kanë zbritur në 60 mijë”, tha Berisha.

Pas kësaj deklarate të Berishës, kryesocialisti shkruan se është një turp i madh të kesh një kënetë në mes të Parlamentit për hallin personal të një politikani të lashtë, të dëshpëruar e të pashpresë.

“NJË FABUL POPULLORE DHE NJË SHËNIM

U ndan detyrat baba djemve të rritur. Ti i thotë të madhit do kujdesesh për prodhimin e arës. Ti i thotë të dytit do kujdesesh për shitjen e prodhimit. Ti i thotë të voglit do kujdesesh për babën dhe ta mbash ke shpia që mos e qeshin dynjaja kur të fillojë me lajthitë!

“Po si do e marr vesh unë këtë o babë?” e pyet djali babën. “Do e marrësh vesh kollaj biri im, sapo baba të ngatërrojë fjalët e konakut të burrave me fjalët e konakut të grave!”, i përgjigjet i ati.

Shënim: Tani që Bababufi i ka lëshuar edhe zyrtarisht krejt pëllumbat, po zogjtë e tij trushpëlarë e marrin vërdallë nëpër Shqipëri me tendë - se ai nuk e mban dot më as diellin, kurse ata pa të janë si këneta pa ujë - u ka mbetur veç demokratëve të thjeshtë, e me mend në kokë, ta bëjnë detyrën e atij djalit të vogël të fabulës popullore.

Dhe ishallah e bëjnë, duke mos e votuar më për ta nxjerrë rrugëve, se për ta është jo vetëm një votë e hedhur në kënetë, po tanimë edhe një hyrje në gjynah me Bababufin e tyre, ndërsa për Shqipërinë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian, është një turp i madh të ketë një kënetë në mes të parlamentit, vetëm e vetëm për hallin personal të një politikani të lashtë, të dëshpëruar, të pashpresë, e më keq akoma, të përçartur!”, shkruan Rama krah videos së postuar.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?