Granit Xhaka u shpall lojtari më i mirë i Zvicrës për vitin 2023. Mefushori shkëlqeu pjesën e parë të sezonit me Arsenalin dhe në vijim me Bayer Leverkusen, teksa shprehu dëshirën për të luajtur sërish në një ekip me të vëllanë, Taulantin.
"Kur të më mbaroj kontrata me Leverkusenin do të jem gati 36 vjeç. Le të shohim nëse kam akoma dëshirë të luaj futboll. Por të luash sërish bashkë me Taulantin me fanellën e Baselit është një ëndërr. Deri më tani pothuajse të gjitha ëndrrat e mia janë realizuar", ka thënë Xhaka për të përditshmen zvicerane “Blick”.
Graniti ka thënë se është si "vera e kuqe", me shqiptarin që po bën mirë në Leverkusen dhe për këtë djemtë e Xabi Alonson udhëheqin Bundesligën pa pësuar humbje këtë sezon.
"Në Angli kam mësuar shumë sa i përket mentalitetit. Unë jam 31 vjeç tani dhe nuk jam më i riu në ekip, por unë jam si vera e kuqe, gjithmonë më i mirë. Ka shumë gjëra për formën e mirë të ekipit dhe në momentin e parë kur hyra në dhomën e zhveshjes, e ndjeva së është ekipi i duhur. Kemi një trajner të madh dhe ekip të mirë, por jemi vetëm në gjysmë të rrugës për shkak se nuk fiton asgjë në dimër. Duhet të mbajmë këmbët në tokë dhe të vazhdojmë të punojmë fort", tha Xhaka mes të tjerash.
Graniti është vëllai i vogël i Taulantit, me dyshen që kanë qenë te Baseli. Taulanti ishte pjesë e Shqipërisë derisa u tërhoq nga futbolli ndërkombëtar, teksa Graniti mban veshur fanellën e Zvicrës duke qenë dhe kapiteni i helvetëve.