Foto nga grabitja që ndodhi në vitin 2019

Kronikë

Grabitja e 4.6 mln eurove në Rinas, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e grupit kriminal, lë në fuqi dënimin me 122 vite burg për 7 të përfshirët

1 Tetor, 12:19| Përditesimi: 1 Tetor, 12:37

  • Share

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e anëtarëve të grupit kriminal të përfshirë në grabitjen e 4.6 milionë eurove në Rinas në prill të vitit 2019. Gjykata la në fuqi dënimin me 122 vite burg nga Apeli i GJKKO për 7 të përfshirët.

Klement Çala u dënua me 20 vite burg. Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Çela, Oltion Pikli dhe Alkon Bengasi dhe Eldi Çala, u dënuan me nga 17 vite burg secili. Gjykimi për Talo Çelën vijoi i ndarë, për shkak se është në arrati.  Ndërsa për Admir Muratin, i cilësuar si “koka” e këtij grupi u pushuan hetimet për shkak se ndërroi jetë.

Anëtarë e grupit kriminal kishin planifikuar vjedhjen me armë të shumave monetare, shumë kohë para se të realizohej duke siguruar dhe përshtatur automjetin me të cilin realizuan vjedhjen, automjetet e tjera me të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes, siguruan mjetet e nevojshme për hapjen e dyerve të emergjencës së perimetrit të aeroportit, armët luftarake, studiuan lëvizjet e mjeteve monetare në brendësi të aeroportit duke e planifikuar me detaje kryerjen e vjedhjes.

Në 9 prill 2019 u grabitën paratë në barkun e avionit në Aeroportin e Rinasit, ku gjatë ndjekjes u vra nga policia Admir Murataj, që u konsiderua nga Prokuroria si 'koka' e grabitjes. Me anë të një furgoni me mbishkrimin “Hetimi tatimor”, Murataj, bashkë me 3 persona të tjerë, morën në momentin që po ngarkoheshin në avion 7 thasë me para. 

Dy vëllezërit nga Elbasani Klement dhe Eldi Çala u arrestuan në mars 2020 në një vilë në Qerret, të dyshuar si autorë dhe drejtues të grupit të grabitësve të blindave me para në Rinas. Klement Çala ishte në kërkim si person i dyshuar për të gjitha grabitjet në aksin Tiranë-Kashar-Rinas.

Ndër të tjera, Talo Çela është një ndër të kërkuarit në operacionin "Plumbi i artë" pasi Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj nga qelia zbërthyen vrasjet nga grupet e organizuara kriminale të një dekade nga viti 2011. Talo Cela u lokalizua me anë të përgjimeve, por nuk u arrit të arrestohet.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shkarkimi i Veliajt, a duhet të ketë zgjedhje në Tiranë pa pritur Kushtetuesen?