Foto: Projekti Green House Korça Resort

Politikë

VKM/ Qeveria miraton kontratën, 10 mijë metër katrorë tokë me qira 1 euro për resortin luksoz në Korçë! 18 milionë euro investim

11 Qershor, 23:14| Përditesimi: 12 Qershor, 00:24

  • Share

Qeveria ka miratuar dhënien me qira të një prone shtetërore në Korçë me tarifën simbolike 1 euro, në kuadër të mbështetjes për investimet strategjike në sektorin e turizmit.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme, 11 qershor, të Këshillit të Ministrave, i cili autorizon lidhjen e kontratës së qirasë ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe shoqërisë “Investment and Development Albania”, sh.p.k., për një sipërfaqe prej 10 mijë metrash katrorë në Bashkinë Korçë.

Prona shtetërore, e llojit “truall”, do të përdoret për ndërtimin e “Green House Korça Resort”, një projekt që parashikon ndërtimin e një hoteli luksoz me 94 dhoma, restorante, bare dhe ambiente të tjera shërbimi.

Vendimi i qeverisë bazohet në statusin “Investim/Investitor Strategjik me procedurë të veçantë”, që i është dhënë shoqërisë “Investment and Development Albania”, sh.p.k., më 1 shkurt 2023 nga Komiteti i Investimeve Strategjike.

Projekti “Green House Korça Resort” ka një vlerë të deklaruar investimi prej mbi 18 milionë eurosh dhe do të zhvillohet nga kompania “Investment and Development Albania”. Aksionerët e kompanisë janë Agim Zeqo (40%), Gerian Kuka (30%) dhe Ilir Shtufi (30%). Ky i fundit është biznesmeni që do të ndërtojë gradacelën që do të quhet “Mali i Tiranës”, e cila pritet të jetë 65 kate, 58 kate lart e 7 kate nën tokë e 185 m e lartë.

VKM:

V E N D I M PËR DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË, ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË EKONOMISË, KULTURËS DHE INOVACIONIT, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “INVESTMENT AND DEVELOPMENT  ALBANIA”, SH.P.K., ME NUIS L91703053C, SI QIRAMARRËS, TË PRONËS SË PALUAJTSHME SHTETËRORE NË ZONËN KADASTRALE NR.8561, BASHKIA KORÇË, PJESË E FONDIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE STRATEGJIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3.1, të kreut V, të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë, me tarifën 1 (një) euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Investment and Development Albania”, sh.p.k., me NUIS L91703053C, si qiramarrës, për pronën e paluajtshme shtetërore në zonën kadastrale nr.8561, me numër pasurie 1/911, të llojit “truall”, me sipërfaqe totale 10 000 (dhjetë mijë)  m2, në pronësi “shtet”, me vendndodhje Bashkia Korçë, pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, sipas dokumentacionit të pronësisë, rilevimit topografik dhe tekstit të projektkontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe shoqëria “Investment and Development Albania”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?