Është miratuar sor në parlamentin grek një ligj të ri, i cili ashpërson ndjeshëm politikat e emigracionit dhe kriminalizon qëndrimin e paligjshëm në territorin grek.
Ligji i ri, i miratuar pas një debati në Kuvendin grek, parashikon kthimin me forcë të azilkërkuesve të refuzuar, si dhe burgim nga dy deri në pesë vjet për të gjithë shtetasit e huaj që ndodhen në Greqi pa dokumentacion të rregullt.
“Emigrantëve që u është refuzuar kërkesa për azil dhe nuk largohen brenda 14 ditëve nga vendi do të përballen me dënime me burgim nga dy deri në pesë vjet”, sipas The Guardian.
Nisma ligjore kaloi në Parlament me votat e shumicës konservatore në pushtet “Demokracia e Re (ND)”, mbështetur edhe nga partia nacionaliste “Niki” dhe disa deputetë të pavarur të ekstremit të djathtë.
Të gjitha partitë e majta të opozitës, përfshirë Pasok, Syriza dhe Partinë Komuniste (KKE), votuan kundër. PASOK e cilësoi ligjin si “të paligjshëm, kaotik dhe të pazbatueshëm”. KKE e quajti atë “racist dhe të turpshëm”.
Çfarë parashikon ligji i ri?
Sipas përmbajtjes së ligjit të ri azilkërkuesit e refuzuar do të kthehen me forcë në vendet e tyre nëse nuk largohen vullnetarisht. Qëndrimi i paligjshëm në Greqi përbën tani një vepër penale, e dënueshme me 2 deri në 5 vjet burg. Shtetasit e vendeve të treta, të cilëve u është lëshuar urdhër kthimi, do të mbahen në ndalim administrativ deri në largimin e tyre. Të huajt që rikthehen pa dokumente në Greqi pas dëbimit, do të përballen me dënime të reja, jo më pak se 3 vjet burg.
Ligji është kritikuar ashpër nga institucione dhe organizata ndërkombëtare: Komisioneri i Lartë për Refugjatët, Avokati i Popullit Grek, Unioni i Gjyqtarëve Administrativë si edhe dhjetëra OJQ për të drejtat e njeriut.
Ata paralajmërojnë se masa të tilla cenojnë të drejtat bazë të njeriut, janë në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare për Refugjatët, dhe do të krijojnë situata të vështira humanitare në kampet e pritjes.
Ndërkohë ministri i Migracionit, Thanos Plevris, mbrojti ligjin duke e cilësuar si “masë jashtëzakonisht parandaluese”, duke theksuar se Greqia është “vendi i parë që kriminalizon qëndrimin e paligjshëm të emigrantëve”.
“Emigrantët e paligjshëm duhet të dinë se do të vendosen nën paraburgim administrativ dhe nën mbikëqyrje, sepse janë duke kryer një krim dhe do të përballen me burg”, tha ministri, i njohur për qëndrimet e tij anti-imigracion.
Komente
