Sektori antiterrorizëm po heton për shpërthimin e bombës që ndodhi mbrëmjen e së premtes, jashtë zyrave të kompanisë hekurodhore “Hellenic Train” në Athinë. Ndonëse nuk ka prova, raportohet se po verifikohen ngjashmëritë me sulmin e një viti më parë, kundër Ministrisë së Punës. Asokohe përgjegjësinë e mori organizata “Vetëmbrojtja e Klasit Revolucionar”.
Lajmërimi për bombë u bë nga një person që kishte telefonuar disa media, të cilave u kishte thënë se do të shpërthente pas 35 minutash. Oficerët e policisë kanë pyetur dëshmitarët okularë, ndërsa pamjet nga kamerat e sigurisë konsiderohen jashtëzakonisht të rëndësishme për të hetuar mënyrën se si kanë lëvizur autori apo autorët, si kanë mbërritur në vendngjarje dhe itinerarin e arratisjes.
Sipas mediave greke, bomba ishte vendosur në një çantë shpine, dhe ka shkaktuar dëme materiale në bizneset pranë, në një rreze prej rreth 20 metrash. Janë thyer disa xhama të pallateve dhe të makinave të parkuara rreth godinës së Trenit Hellenic.
Komente
