Sheshi përpara Parlamentit grek në Athinë u mbush plot të dielën nga qindra qytetarë dhe dhjetëra shoqata që shprehën mbështetjen e tyre për Pano Ruci, babain me origjinë shqiptare që humbi djalin e tij Denis në tragjedinë hekurudhore të Tempit, 28 shkurt 2023.
Kanë kaluar tetë ditë që ai ndodhet në grevë urie dhe etjeje, duke kërkuar zhvarrosjen e trupit të të birit për të zbuluar të vërtetën/ Përkrah tij tashmë ndodhet edhe një grevist tjetër urie,një baba që ka humbur edhe ai fëmijën e tij në aksidentin e prëplasjes së trenave në shkurt të vitit 2023 me 57 viktima.
“Nuk na japin leje për zhvarrim. Nuk na lënë të kërkojmë të vërtetën, të gjejmë provat, të zbulojmë çfarë ndodhi atë natë. Pyes: nga çfarë kanë frikë? Unë do të vazhdoj deri në fund. Nuk ndalem”, tha Pano Ruci.
Mbi 55 organizata e shoqata, mes tyre federata të artit, punonjës të teatrit kombëtar, sindikata të mediave dhe muzikantë dolën në Athinë e Selanik në mbështetje të grevistëve të urisë, duke e kthyer këtë protestë në një valë solidariteti.
Ata denoncojnë mbylljen e përshpejtuar të hetimeve dhe kërkojnë që të ndëshkohen të gjithë përgjegjësit e vërtetë të tragjedisë së Tempeve.Përkrah tyre janë edhe familjet e tjera që humbën fëmijët e tyre.
Pano Ruci së bashku me gjithë prindërit e tjerë deklaruan se nuk do lejojnë që krimi i Tempit të mbulohet me heshtje.
Komente
