Një kontrast ndjenjash dhe reagimesh kanë shkaktuar dy momente nga paradat ushtarake me rastin e ditës së Pavarësisë së Greqisë.
Janë dy video të ndryshme që po bëjnë xhiron e mediave sociale dhe jo vetëm.
Në videon e parë që ka shkaktuar reagimin e forcave politike të opozitës një repart i nënoficerëve të marinës ushtarake ka hedhur gjatë parakalimit në prani të dhjetëra qytetarëve në Athinë që ndiqnin paradën thirrje me sharje dhe slogane kundër Turqisë.
Siç shihet dhe dëgjohet në video në fillim ata brohorasin parullën “Qipro është greke,” që sipas partive opozitare është një slogan i periudhës së juntës ushtarake që nuk bazohet në histori.
Ndërsa më pas hedhin sharje 'Të shkojë të … Turqia', sharje të cilat i përsërisin disa herë.
Për ngjarjen në fjalë Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se do të fillojë një hetim të brendshëm.
Ndërsa video e dytë përfshin një moment prekës që lidhet edhe me ngjarjet dhe protestat e fundit në Greqi. Klaudia Lata me origjinë shqiptare, ishte një nga 57 viktimat e aksidentit tragjik të Tempit në 2023.
Bashkëmoshatarët e saj nuk e harruan dhe thirrën me zë të lartë emrin e saj në Selanik gjatë paradës së Shkollës Ushtarake të Korpusit të Oficerëve ku ajo studionte.
Videoja është publikuar në shumicën e portaleve greke, në emisione televizive, ndërsa është postuar edhe nga grupi online 'Shoqata e të afërmve të viktimave të Tempit 2023'.
Komente
