Greqi-Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar mbrëmjen e 12 nëntorit, në Kastri të Igumenicës, Greqi.
Raportohet se që nga fundi i muajit tetor, shqiptari kishte kryer një seri vjedhjesh në zonë, ndërsa ndaj tij kishte një urdhër-arresti nga Prokuroria e Prevezës për vjedhjet.
36 vjeçari është lokalizuar në një zonë të pyllëzuar nga një ekip special i policisë që ishte ngritur për këtë qëllim, pas kontrolleve të kujdesshme, në kuadër të hetimit të vjedhjeve të ndodhura në zonën e gjerë të Igumenicës.
Sipas hetimeve të kryera, nga data 21.10.2024 deri në ditën e djeshme, 36-vjeçari kishte kryer shtatë vjedhje banesash, nga ku kishte marrë sende me vlerë prej 50 mijë e 700 euro dhe një shumë prej 1640 eurosh, shkruan prothotema.gr.
Gjatë arrestimit i janë gjetur dhe konfiskuar sende me vlerë prej 10 mijë eurosh, mjete për vjedhje, elektrik dore dhe doreza pune.
Gjithashtu u konstatua se shqiptari kishte hyrë ilegalisht në vend, ndërkohë që ndaj tij ishte në pritje një urdhër-arresti.
Dosja e burrit është në Prokurorinë e Thesprotisë për veprime të mëtejshme.