Greqi-Policia greke ka sekuestruar 81 kilogramë e 704 gramë marijuanë në një operacion të zhvilluar në orët e para të mëngjesit në rrugën “Egnatia”, pranë Igumenicës. Operacioni është kryer nga Policia Kufitare e Filatit në bashkëpunim me sektorin kundër narkotikëve të Policisë së Igumenicës.
Sipas autoriteteve greke, droga ishte e fshehur në bagazhin dhe sediljet e pasme të një taksie, të cilën policia ndaloi gjatë kontrollit rutinë. Në pranga kanë përfunduar dy persona: drejtuesi i automjetit, shtetasi grek Mikhail Angjelo, 52 vjeç nga Artemida e Athinës, dhe pasagjeri, shtetasi shqiptar Kosta Beqo, 54 vjeç, nga fshati Çukë i Sarandës.
Hetimet zbuluan se Kosta Beqo ishte në kërkim nga autoritetet greke që prej vitit 2018. Ai kishte marrë leje nga burgu i Stavrakiut, ku vuante dënimin për çështje droge, por nuk ishte kthyer më, duke iu shmangur drejtësisë. Gjatë arrestimit, policia gjeti dhe sekuestroi gjithashtu një shumë prej 4,370 eurosh.
Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë është vënë në dijeni të ngjarjes dhe po bashkëpunon me homologët grekë për të hetuar më tej. Ende nuk ka konfirmim nëse sasia e drogës është trafikuar nga kufiri shqiptaro-grek. Hetimet vazhdojnë për të zbuluar të gjitha lidhjet dhe personat e përfshirë në këtë rast.
Policia greke njoftoi se operacioni është pjesë e përpjekjeve të intensifikuara për të luftuar trafikun e drogës në zonat kufitare.